Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian kundër Kosovës janë bërë sinonim i një dënimi të zgjatur – sipas disave pa arsye.
Ndryshe nga koha kur janë vendosur, komuniteti serb ka marrë pjesë në zgjedhjet e sivjetme parlamentare dhe lokale në Kosovë, duke ndryshuar ndjeshëm kushtet që dikur i kanë justifikuar.
“Besojmë se tani nuk ka asnjë kusht që i arsyeton masat kundër Kosovës. Me mbajtjen e zgjedhjeve, serbët kanë përfaqësuesit e tyre politikë në nivel lokal dhe qendror. Kjo, në njëfarë forme, shënon rikthimin e jetës politike normale të komunitetit serb në Kosovë”, thotë Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Ky grup është një nga 12 organizatat e shoqërisë civile që i kërkuan javën e kaluar BE-së heqjen e masave ndaj Kosovës, duke argumentuar se rrethanat fillestare nuk vlejnë më dhe se masat po dëmtojnë procesin e integrimit evropian.
Radio Evropa e Lirë pyeti në BE nëse është duke u diskutuar heqja e tyre, por nuk mori përgjigje.
Mediat cituan vetëm konfirmimin e një zëdhënëseje se BE-ja ka pranuar letrën nga shoqëria civile në Kosovë.
Këto masa, që përfshijnë ngrirjen e një pjese të fondeve të BE-së dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me zyrtarët kosovarë, u vendosën në mesin e vitit 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe dhe disa veprimeve të Qeverisë, të cilat BE-ja i përshkroi si të pakoordinuara dhe në dëm të komunitetit serb.
Disa shenja të zbutjes, megjithatë, nisën të shihen së voni, përfshirë edhe nga takimet e ndara që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi më 15 tetor në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Në komunikatën që lëshoi në X, von der Leyen tha vetëm se është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, t’i ulë tensionet dhe t’i finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes i BE-së.
Në shkurt të këtij viti, Radio Evropa e Lirë raportoi se një projekt i Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës, “Termokos”, për dyfishimin e kapaciteteve të ngrohjes në kryeqytet, ishte pezulluar, për shkak të ngrirjes së një granti prej mbi 17 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.
Lagjet që do të përfitonin nga ky projekt, përfshijnë: Prishtinën e Re, Kalabrinë, Matin 1 dhe Rrugën C.
Tetë muaj pas atij raportimi, “Termokos”-i konfirmon se gjendja mbetet e njëjtë.
“Projekti nuk ka filluar me fazën e zbatimit, për shkak se granti nga Bashkimi Evropian është pezulluar përkohësisht, si rezultat i masave të BE-së ndaj Kosovës. Për rrjedhojë, procesi i përparimit të projektit mbetet në pritje derisa këto masa të hiqen”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes dërguar Radios Evropa e Lirë.
Si ky rast, ka edhe të tjerë. Një raport i publikuar në maj nga Instituti për Studime të Avancuara GAP në Prishtinë nxori në pah se masat ndëshkuese të BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro për projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar. Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, ndërsa sektorët më të prekur janë: mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura.
Toby Vogel, analist nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit, me seli në Bruksel, thotë se Bashkimi Evropian ka muaj që është i zënë me kriza madhore në botë – nga Ukraina në Lindjen e Mesme – dhe politikën ndaj Kosovës e ka lënë në “autopilot”.
“Mendoj se ky është një nga ata shembujt e politikave të BE-së që funksionojnë thjesht në mënyrë automatike. Aktualisht, BE-ja nuk ka udhëheqje të qartë sa i përket çështjes së Kosovës ose të Serbisë, të cilat lidhen me njëra-tjetrën përmes dialogut. Askush – as lider kombëtar, as zyrtar, as komisionar – nuk dëshiron të investojë kapital politik në një çështje që shihet si relativisht e parëndësishme”, thotë Vogel për Exposenë.
Për të, këto masa kanë qenë të padrejta ndaj Kosovës që nga fillimi, sidomos duke pasur parasysh se Serbia nuk është përballur me diçka të ngjashme, pavarësisht dyshimeve për përfshirjen e saj në sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023.
Vogel nuk e përjashton mundësinë që BE-ja të vazhdojë t’i përdorë masat si mjet presioni edhe për çështje të tjera politike në Kosovë.
Por, pavarësisht kësaj, ato nuk duket se kanë ndikuar në orientimin properëndimor të qytetarëve të Kosovës. Një anketë e zhvilluar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në periudhën maj-korrik të këtij viti nxori në pah se 85 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë mbështesin një politikë të jashtme pro-BE dhe properëndimore, krahasuar me vetëm 9 për qind në Serbi.
Gërgi thotë se një pjesë të përgjegjësisë për vazhdimin e masave të BE-së e mbajnë edhe institucionet vendore, të cilat prej muajsh kanë qenë jofunksionale ose në detyrë.
“Ne, si shoqëri civile, mund ta hedhim hapin e parë, mund ta bëjmë atë që është në kuadër të veprimtarisë sonë, porse, padyshim, pesha kryesore në këtë aspekt u ngarkohet institucioneve shtetërore. E, nëse ato janë me mandat të kufizuar, kjo domosdo ka efekt në politikën e jashtme”, thotë Gërgi.
Pas takimit me von der Leyenin në Prishtinë, presidentja Osmani shkroi në Facebook se kishte diskutuar edhe për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës, por nuk zbuloi detaje të tjera.
Vogel thotë se një moment i përshtatshëm për heqjen e masave të BE-së mund të vijë nëse Kosova formon një qeveri të qëndrueshme dhe legjitime, dhe shmang veprimet që BE-ja dhe partnerët e saj i konsiderojnë provokuese ose të njëanshme.
“Kosova, sigurisht, po kalon një periudhë të vështirë në aspektin e brendshëm, për shkak të pamundësisë për të formuar qeverinë dhe gjithë situatës që lidhet me të. Mendoj se, aktualisht, qëndrimi në Bruksel është ‘të presë dhe të shohë’. Ekziston një ndjenjë e përgjithshme se ‘na duhet një lloj zgjidhjeje për ngërçin politik në Prishtinë përpara se të merret ndonjë vendim i rëndësishëm”, thotë Vogel.
Por ai, gjithashtu, paralajmëron se mungesa e vëmendjes nga BE-ja është e rrezikshme, pasi rrit mundësinë e paqëndrueshmërisë dhe dhunës në Ballkanin Perëndimor. Pa një përqendrim politik të BE-së, rajoni mund të përballet me sfida serioze të sigurisë, sipas tij.
“Mendoj se BE-ja ka pasur fat që nuk ka pasur më shumë dhunë, apo dhunë më serioze në Kosovë. Po ashtu, ka qenë me fat që, deri më tani, nuk ka pasur incidente të dhunshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo ka misione të vendosura në të dyja vendet. Në letër i ka mjetet për t’u përgjigjur ndaj çdo sfide të sigurisë, por politikisht i mungon vëmendja dhe gatishmëria. Kjo është një situatë e rrezikshme, sepse ajo që po ndodh në lindje të BE-së, në Ukrainë, ka ndikim zinxhiror edhe në Ballkanin Perëndimor”, thotë Vogel.
Më herët këtë vit, Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e masave ndëshkuese kundër Kosovës. Ministrat e Jashtëm të BE-së i sugjeruan gjithashtu Komisionit Evropian heqjen graduale të masave.
Por, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në prill, komsionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, tha se jo të gjitha shtetet e BE-së janë dakord për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Për një vendim të tillë kërkohet konsensusi i të 27 shteteve anëtare, e mes tyre janë edhe pesë vende që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Megjithatë, edhe përpara vendosjes së masave, nuk është vërejtur ndonjë gatishmëri reale për ta avancuar Kosovën në procesin e integrimit evropian.
Ajo mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim në BE. Aplikimin për t’u bërë pjesë e bllokut e ka dorëzuar në fund të vitit 2022, por, pothuajse tre vjet më vonë, kërkesa ende nuk është marrë në shqyrtim.
Për shkak të vonesës në formimin e institucioneve qendrore, Kosova mbetet edhe jashtë Planit të Rritjes së BE-së dhe nuk mund të përfitojë nga fondet e parapara. Kjo, sepse marrëveshja ndërkombëtare që mundëson qasjen në ato mjete duhet të miratohet paraprakisht nga Kuvendi.
Gërgi thekson rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ato të nisin një fushatë të koordinuar lobimi në qendrat evropiane.
Por topi, edhe atëherë, do të mbetet në anën e tyre, për të vendosur nëse do ta shpërblejnë Kosovën për përpjekjet e saj, apo thjesht do ta mbajnë në pritje.










