Policia zbulon rrjetin e shpërndarjes së drogës në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e antidrogës në Regjionin e Prishtinës, njofton se pas hetimeve operative dhe informacioneve të pranuara për aktivitetin e dyshuar kriminal të personit me iniciale (A.B,) ka realizuar me sukses një operacion policor në lagjen Muhagjerët, me ç’rast janë ndaluar dy persona dhe një veturë.

Policia informon se “gjatë kontrollit, tek i dyshuari A.B janë gjetur dhe konfiskuar 117.8 gram marihuan në një paketim të vetëm dhe 24 paketime të vogla me 26 gram marihuan të gatshme për shitje. Në veturën e personit të dytë, Sh.I, është gjetur një paketim i vogël me 1 gram marihuan”.

Pas urdhrit të Prokurorit Kujdestar, është kryer kontroll edhe në banesën dhe bodrumin e të dyshuarit A.B, ku ne bodrum janë gjetur edhe 79.7 gram marihuan të ndarë në paketime për shitje, një peshore digjitale, dy paketime me foli dhe një telefon, vijon njoftimi i PK-së.

Të gjitha provat materiale janë konfiskuar nga Njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë. I dyshuari A.B është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit, ndërsa personi Sh.I është intervistuar si dëshmitar, informon policia.