Policia e Kosovës në Rajonin e Prizrenit ka ndërmarrë masa ndaj përdorimit të armëve në gazmende familjare, duke sekuestruar gjithsej katër armë zjarri dhe duke ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar në dy raste të ndara.
Rasti i parë është shënuar në fshatin Romaj të Hasit. Më 6 gusht 2025, një i dyshuar u arrestua dhe iu sekuestrua një pistoletë. Gjatë intervistimit nga hetuesit e Stacionit Policor Prizren, ai pranoi se kishte edhe një armë tjetër, e cila më pas u sekuestrua nga policia. Të dyja armët dyshohet se janë përdorur gjatë një dasme.
Rasti i dytë ndodhi në fshatin Semetisht të Suharekës, ku policia reagoi pas marrjes së informatave për të shtëna gjatë një dasme. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan tre pistoleta dhe 16 gëzhoja. Tre persona u intervistuan në prani të avokatëve dhe, me urdhër të Prokurorit kujdestar, u ndaluan për 48 orë.
Policia e Kosovës apelon për vetëpërmbajtje dhe festime të sigurta, duke theksuar mesazhin: “Festo me zemër, jo me armë.”
The post Policia sekuestron 4 armë dhe ndalon 3 persona për të shtëna në dasma appeared first on Kosovapost.net.