Policia në Brazil ndaloi një sulm të planifikuar në koncertin madhështor të Lady Gaga-s, ku u tubuan mbi 2 milionë njerëz

Policia braziliane ka deklaruar se ka parandaluar një sulm të planifikuar me bombë gjatë koncertit të këngëtares së njohur Lady Gaga, i cili u mbajt në plazhin e njohur Copacabana në Rio de Janeiro dhe që tërhoqi rreth 2.1 milionë pjesëmarrës.

Sipas Policisë Civile të Rio de Janeiros, komploti ishte organizuar nga një grup që promovonte gjuhën e urrejtjes dhe radikalizimin e adoleshentëve, përfshirë përmbajtje që nxisnin vetëlëndimin dhe dhunën si formë të përkatësisë sociale. Policia veproi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Brazilit, shkruan Sky News.

“Forcat hetuese zbuluan se të dyshuarit po rekrutonin pjesëmarrës, përfshirë edhe të mitur, për të kryer sulme të koordinuara duke përdorur eksplozivë të improvizuar dhe koktej Molotov”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.

Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se rekrutuesit identifikoheshin si fansa të këngëtares Lady Gaga, të njohur ndryshe si “Little Monsters”.

Operacioni u zhvillua pas një raporti të hartuar nga laboratori i operacioneve kibernetike pranë ministrisë, i cili erdhi pas një sinjalizimi nga inteligjenca policore e shtetit të Rios.

Hetimet zbuluan grupe digjitale që inkurajonin sjellje të dhunshme mes adoleshentëve, duke përdorur gjuhë të koduar dhe simbole ekstremiste.

Autoritetet ekzekutuan më shumë se një duzinë urdhrash për kërkim dhe sekuestrim. Një person i konsideruar si udhëheqës i grupit u arrestua në shtetin jugor të Rio Grande do Sul për posedim të paligjshëm të një arme zjarri, ndërsa një adoleshent u ndalua në Rio de Janeiro për mbajtjen e pornografisë së fëmijëve. /Telegrafi/