Policia: Në aspektin e sigurisë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa inicidente serioze

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor në rundit e dytë të zgjedhjeve lokale deri në këtë fazë ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze,

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Policia e zbatoi me sukses planin operacional të paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor-balotazhi 2025, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste penale, një në Fushë Kosovë “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, ku janë arrestuar dy persona dhe tjetri në Klinë “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku është arrestuar një person. Personat e arrestuar me vendim të prokurorëve kompetent janë dërguar në mbajtje”.

“Po ashtu, janë trajtuar 51 informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat nga prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacione”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës vlerëson se plani policor është realizuar me sukses si rezultat i planifikimit të mirë operacional dhe punës së zyrtarëve policorë, si dhe bashkëpunimit të duhur ndërinstitucional.

Policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kulturën e treguar përgjatë gjithë procesit zgjedhor të balotazhit 2025. /Klankosova.tv

The post Policia: Në aspektin e sigurisë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa inicidente serioze appeared first on Klan Kosova.