Policia e rajonit të Prishtinës ka zhvilluar një aksion të gjerë operativ gjatë javës së kaluar, me rezultate të konsiderueshme në fushën e sigurisë publike dhe rrugore. Në një seri kontrollesh dhe operacionesh të koordinuara, janë realizuar 109 urdhëresa gjyqësore, përfshirë 46 për vepra penale.
Personat e dënuar janë ndaluar dhe dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa të tjerët janë liruar pas përmbushjes së detyrimeve ligjore.
Në një tjetër goditje të fuqishme ndaj armëmbajtjes pa leje, Policia ka sekuestruar 16 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe qindra municione, në lokacione të ndryshme në Prishtinë.
“Po ashtu, në kuadër të kontrollit në trafik, janë shqiptuar plot 4520 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit,” bëri të ditur Policia. 498 prej tyre janë regjistruar nga teknologjia moderne, përfshirë vetura inteligjente dhe radarë mobilë.
Ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë për forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.
“Prishtina është nën vëzhgim – askush nuk është mbi ligjin,” thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë.
The post Policia në aksion: sekuestrohen armë, realizohen 109 urdhëresa gjyqësore appeared first on Kosovapost.net.