Policia merr masa: Shoferët që nuk ndalen te hekurudha do të gjobiten

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, në fshatin Stupë kanë ndodhur dy aksidente të rënda me tren, çka ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Policisë së Kosovës.

Si pasojë, sot gjatë ditës, Policia ka ndërmarrë masa konkrete për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes Stacionit Policor në Klinë, ka filluar një aksion të mbikëqyrjes së vijës hekurudhore që kalon përmes kësaj zone.

Operacioni ka nisur në orën 08:30 të mëngjesit dhe synon të verifikojë nëse shoferët po ndalojnë në vendkalimet hekurudhore ku është e vendosur shenja “STOP”.

“Në kuadër të këtij aksioni, janë marrë masa konkrete ndaj shoferëve që nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit në vendkalimet hekurudhore, si pjesë e përpjekjeve për të rritur sigurinë dhe ndërgjegjësimin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar gjithashtu se ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kundërvajtësit do të gjobiten pa kompromis.

“Që nga mëngjesi e deri tani janë shqiptuar dhjetëra gjoba, me qëllimin e vetëm që vozitësit të vetëdijësohen, veçanërisht pasi mosrespektimi i rregullave në këto zona po kushton jetë njerëzish. Apelojmë tek të gjithë qytetarët, në veçanti shoferët, të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e automjeteve, sidomos në pjesët ku rruga kalon mbi binarë”, thuhet më tej në njoftim.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të trafikut për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen.