Policia e Kosovës ka realizuar një operacion antidrogë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, duke parandaluar transportimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Njësinë e Krim-Teknikës, ka ndërmarrë aksionin e koduar “SHTEGU” në Pikën Kufitare të Jarinjës, pas marrjes së informatave për një automjet të dyshimtë me targa serbe.
Gjatë kontrollit të automjetit të tipit Mercedes A-Class, u zbuluan 30 pako që përmbanin substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë.
“Pas hapjes së rezervuarit, janë gjetur gjithsej 30 pako të mbështjella me folie transparente, që përmbanin substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë. Pesha totale e sasisë së konfiskuar është 32.4 kilogramë.” – thuhet në njoftim.
I dyshuari, me inicialet N.M. nga Beogradi, është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë, ndërkohë që hetimet për rastin vazhdojnë.