Policia me aksion në Ferizaj, 40 gjoba dhe 5 motoçikleta të konfiskuara në një ditë

Policia Rajonale e Ferizajt ka vazhduar me zbatimin e planit operativ “Motoçikleta 2025”, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe disiplinimit të pjesëmarrësve në trafik.

Sipas njoftimi të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 40 gjoba ndaj motoçiklistëve për shkelje të rregullave të trafikut, ndërsa janë konfiskuar 5 motoçikleta për mungesë dokumentacioni dhe shkelje tjera ligjore.

Policia bën të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në bashkëpunim me njësite të tjera policore, në mënyrë që të parandalohet çdo veprim që rrezikon jetën e pjesëmarrësve në trafik.

Institucionet e rendit u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të ndihmojnë në raportimin e kundërvajtjeve përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” apo duke kontaktuar numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406./IndeksOnline/