Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksion të gjerë në vazhdën e hetimeve lidhur me shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e QKUK-së, ku ishte sulmuar vetura e drejtorit të QKUK-së. Sot, më 9 shtator, në zbatim të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë bastisur tri lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Rimanishtë.
Gjatë operacionit janë arrestuar 11 persona dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë armë të zjarrit, municion, pajisje elektronike, pranga, substanca narkotike dhe mjete për kultivimin e tyre.
Nga Rimanishta është konfiskuar një pistoletë, një armë automatike AK-47, 142 kilogramë kanabis dhe pajisje për përpunim.
Policia njofton se ndaj një të dyshuari, F.D., është zbuluar urdhër-arrest aktiv për çështje të narkotikëve, dhe ai është dërguar për vuajtje dënimi. Pas intervistimit, nëntë persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa për të tjerët procedurat janë ndarë në raste të veçanta. Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, Drejtoria kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në vazhdën e hetimeve lidhur me rastin e ndodhur më datë 30.04.2025, ku në parkingun e QKUK-së në Prishtinë kishte ndodhur një shpërthim në një veturë të tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së, ka ndërmarrë veprime të mëtejme operative dhe hetimore në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Më datë 09.09.2025, në zbatim të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë realizuar bastisje në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë.
Gjatë kontrollit janë ndaluar njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale si më poshtë: Prishtinë – Rr. “Fan Noli”
– Një telefon mobil i llojit iPhone 12
– Një laptop Lenovo
– Dokumente të ndryshme
Prishtinë – Rr. “Pavarësia”
– Katër telefona celularë Samsung
– Një telefon celular iPhone 14 Pro Max
– Një palë pranga metalike
– Një radio lidhje Baofeng
– Gjashtë fishekë të armës së shkurtër të kalibrit 9×19 mm
Fshati Rimanishtë
– Një pistoletë e llojit Sig Sauer me një karikator dhe 12 fishekë
– Një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një thikë (bajonetë)
– Tri telefona (iPhone dhe Samsung),
– Sasi e konsiderueshme e substancës narkotike (dyshohet për marihuanë), mjete për kultivim dhe përpunim
Gjatë bastisjes në këtë lokacion, është ndërhyrë edhe nga njësia e Antidrogës – DHTN Prishtinë, e cila ka marrë në kompetencë trajtimin e mëtejshëm të rastit për narkotikë.
Profesionalizëm / Integritet / Llogaridhënie
Në vazhdim të veprimeve janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
– Janë konfiskuar 142 kg e 172 gr substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit
– Një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë
– Një armë AK-47, 5 karikatorë, 99 fishekë dhe 1 bajonet
– Dhjetë (10) telefona dhe pajisje të tjera relevante për rastin
Gjatë verifikimit të të dyshuarit F.D., është konstatuar se ndaj tij ekziston një urdhër arrest aktiv për çështje të narkotikëve, dhe me vendim të prokurorit, ai është dërguar për vuajtje të dënimit. Ndërkaq, pas intervistimit të personave të ndaluar dhe në konsultim me prokurorin kompetent, nëntë (9) persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë ndarë në raste të veçanta dhe janë njoftuar njësitë përkatëse për trajtimin e mëtejshëm të tyre. Policia e Kosovës do të vazhdojë me veprime të koordinuara me organet e drejtësisë për ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë.