Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Egzon Reshanit

Policia e Kosovës ka njoftuar se Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën penale “Vrasje në tentativë”, pas një rasti të ndodhur më 5 janar 2026, rreth orës 22:50, në rrugën “Ali Hadri” në Prizren, ku janë raportuar të shtëna me armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, dy persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë dhe po vazhdojnë trajtimin mjekësor.

Policia ka bërë të ditur se disa persona të përfshirë në rast janë identifikuar dhe arrestuar, ndërsa njëri prej të dyshuarve vazhdon të jetë në arrati. Bëhet fjalë për Egzon Besim Reshani, i lindur më 05.07.1992, me banim në Prizren.

Autoritetet kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për sigurimin e informatave që mund të çojnë në arrestimin e tij, duke i ftuar që çdo informacion ta raportojnë në numrin 192, përmes rrjeteve sociale apo në cilindo stacion policor në Kosovë.

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar edhe video nga paraqitja e drejtpërdrejtë e Reshanit, në të cilën kërcënon dhe ofendon rëndë kryeprokurorin Kryeziu dhe zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit.

Edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka dënuar kërcënimet ndaj kryeprokurorit të Prizrenit Petrit Kryeziu si sulm ndaj drejtësisë, ndërsa i dyshuari Egzon Reshani, i shpallur në kërkim për “tentim vrasje” dhe “fajde”, pritet të përballet me përgjigje institucionale.