Policia kërkon ndihmë për gjetjen e gruas që u raportua e humbur

Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një personi të humbur.

Bëhet fjalë për personin Zoja Velija e lindur në vitin 1984. Më datë 16.01.2026, në stacionin policor të Lipjanit e njëjta është raportuar nga familjarët e zhdukur.

“Që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore të hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si:
-intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit,
-kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare,
-kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura),
-analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin etj.

Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit prej prokurorit të shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar”, thuhet në njoftim.

Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me personin e sipër shënuar, t’i përcjellin ato policisë përmes numrit 192 apo në [email protected]