Policia e Kosovës ka kapur mbi 32 kilogramë drogë që ishte fshehur në një automjet me targa serbe, përmes një operacioni të realizuar në pikëkalimin kufitar në Jarinjë. I dyshuari është arrestuar.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se droga është gjetur në një automjet të markës Mercedes A-Class.
“Gjatë inspektimit dhe kontrollit të automjetit, në pjesën e poshtme të tij është gjetur një rezervuar i shtuar metalik, me përmasa 160×97 cm dhe thellësi 25 cm, i cili dyshohej të mbante substanca narkotike. Pas hapjes së rezervuarit, janë gjetur gjithsej 30 pako të mbështjella me folie transparente, që përmbanin substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë. Pesha totale e sasisë së konfiskuar është 32.4 kilogramë”, thuhet në njoftim.
Janë konfiskuar dy telefonë celularë, si dhe automjeti i dyshuar është sekuestruar për hetime të mëtejshme.
“I dyshuari, me iniciale (N.M-Beograd) pas veprimeve të para hetimore, është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimi i rastit vazhdon nga antidroga- Mitrovicë e Veriut”.