Policia i nxjerr fotografinë dhe kërkon ndihmë për kapjen e të dyshuarit për vrasjen mbrëmë në Hajvali

Policia e Kosovës e ka publikuar fotografinë e Xhemail Nuhiut, i dyshuar për vrasjen e mbrëmshme në Hajvali dhe ka kërkuar ndihmë për gjetjen dhe arrestimin e tij.

Policia po kërkon nga qytetarët që mund të kenë ndonjë informatë për vendndodhjen e tij të lajmërojnë organet e rendit.

“Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar për veprën vrasje që ka ndodhë mbrëmë në Hajvali. Personi i dyshuar XHEMAIL (BAJRAM) NUHIU ndodhet në arrati, andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së tij, na kontaktoni direkt në: E-mail: [email protected] Android #app: Lajmero Policine dheTel: 192.”, ka apeluar Policia e Kosovës.

Xhemail Nuhiu të hënën në mbrëmje dyshohet se e ka qëlluar me plumb në kokë M.M, i cili ka vdekur nga plagët e marra.

Lidhur me rastin Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë se mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të autorit të kësaj vepre të rëndë penale.

“Prishtinë, 12 Gusht 2025- Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me datë 11.08.2025, rreth orës 22:00, një ngjarje tragjike ka ndodhur ne lagjen Hajvali të Prishtinës, ku një person M.M., është qëlluar me armë zjarri. Viktima u dërgua menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët e konstatuan vdekjen e tij pa shenja jete.

Menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante te Policisë se Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbeten e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të autorit të kësaj vepre të rëndë penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kjo është vrasja e pestë brenda dy ditësh në Kosovë.

Ditën e diel, Kosova u trondit nga një vrasje e trefishtë në qytetin e Gjilanit. Të vdekur mbeten babë e bir, argjendarë të njohur në këtë qytet, të cilët u vranë në një kafene afër objektit të komunës. Pak më vonë, vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në Spitalin e Gjilanit, duke e çuar bilancin në tri viktima.

Të dyshuarit për rastin, Mefail Shkodra me dy djemtë e tij, Edonisin dhe Engjullin janë akoma janë në arrati. /Reporteri.net/