Policia gjen në Zveçan fletushka me thirrje për vendosjen e flamurit të Serbisë nëpër objekte

Në oborre të ndërtesave dhe shtëpive në Mitrovicë të Veriut janë shfaqur fletushka me mesazhin “Rezistencë”.

Lajmin e ka konfirmuar për media, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut.

Ai theksoi se për momentin nuk ka më shumë detaje lidhur me këto materiale të shpërndara.

Më 24.08.2025, mbishkrime në gjuhën serbe, murali i të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq, kryqe e harta janë ngjyrosur në Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, kishte njoftuar se ka marrë vendim për fshirjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit, e cila ishte në një nga muret e objekteve të Zveçanit.

Peci tha se këtë e ka bërë për të eliminuar çdo simbol të dhunës dhe urrejtjes nga hapësirat publike dhe për të garantuar se Zveçani mbetet një vend paqeje dhe i harmonisë për të gjithë banorët, pa dallime kombëtare apo etnike.

Murali i të dënuarit për krime lufte, Radko Mlladiq, i cili ishte vendosur në vitin 2021 në një mur të një objekti në qytetin e Zveçanit, në prill të vitit 2025 ishte ngjyrosur me të zezë në pjesën e syve.

Ndërkohë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e lidhur këtë ngjarje me, siç e ka quajtur, politikën “antiserbe” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Llogaritja e Albin Kurtit me muralet në veri të Kosovës nga Mitrovica e Kosovës, Zveçani deri në Leposaviq tregon gjithë urrejtjen dhe obsesionin e politikës së tij antiserbe”, thuhet në reagim.

Tutje, kjo zyrë ka deklaruar se Kurti, “pasi përjeton humbje në skenën politike në Prishtinë, përpiqet ta maskojë debaklin e tij me provokime në veri, duke nxitur tensione, intolerancë dhe ndarje mes popujve”.

Në reagim, gjithashtu është theksuar se “serbët e ndershëm në veri do të vazhdojnë të mbajnë me krenari simbolet kombëtare serbe dhe do të qëndrojnë të vendosur për të ruajtur vatrat e tyre”.

Autoritetet kosovare nuk kanë dhënë ndonjë sqarim zyrtar për motivet apo autorët e shpërndarjes së këtyre fletushkave.

The post Policia gjen në Zveçan fletushka me thirrje për vendosjen e flamurit të Serbisë nëpër objekte appeared first on Kosovapost.net.