Policia gjen armë dhe municion në Mitrovicën e Veriut

Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion në rrugën “Lola Ribar” të Mitrovicës së Veriut.

“Në kuadër të detyrave të përcaktuara me ligj, ndër të tjera, Policia e Kosovës ka për obligim edhe asistimin e institucioneve të ndryshme shtetërore. Më datë 05.08.2025, njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri kanë asistuar Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), pas kërkesës zyrtare të kësaj agjencie për ofrim të mbështetjes gjatë realizimit të detyrave të tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në Facebook.

“Gjatë këtij asistimi, në rrugën ‘Lola Ribar’ – Mitrovicë Veri, konkretisht në një banesë e cila ishte e uzurpuar dhe e mbyllur (pa banorë) policia ka gjetur dhe sekuestruar 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm, municion për pushkë ajrore, 1 optik për armë të gjatë, 1 kuti për mbushje të municionit, 1 fotrollë për pistoletë, 2 gaz-maska, 2 video-kamera dhe 1 video-kasetë e vogël, dokumente të ndryshme, 1 foto-aparat, 1 lexues (DVD) dhe 1 vulë të rrumbullakët”.

Policia po ashtu ka identifikuar gruan e të dyshuarit për uzurpim prone, pasi ajo banonte aftër banesës në fjalë.

“Në vijim të hetimeve Policia ka identifikuar bashkëshorten e personit i cili dyshohet se e kishte uzurpuar pronën e cila banonte në një banesë aty afër. Në bazë të dyshimeve është kontrolluar edhe në banesën tjetër ku policia ka gjetur dhe sekuestruar 1 pistoletë, 1 tytë e armës së shkurtë, 1 fishek dhe 1 armë (e modifikuar, stilolaps)”.

“Lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara M.A., 56 vjeç, e cila është intervistuar, dhe ndaj saj me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Pas intervistimit e dyshuar është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt”.

The post Policia gjen armë dhe municion në Mitrovicën e Veriut appeared first on Kosovapost.net.