Policia e Kosovës merr nën kontroll ndërtesën që përdorej nga strukturat paralele në veri

Policia e Kosovës, me urdhër të autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut, më 16 maj ka marrë në kontroll një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Nacional për Punësim, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.

Ky aksion është pjesë e një serie veprimesh të ndërmarra ditët e fundit, gjatë të cilave autoritetet e Kosovës, me ndihmën e policisë, kanë marrë nën kontroll ambientet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, të palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe të disa institucioneve të tjera që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Autoritetet zyrtare të Prishtinës i cilësojnë ato si struktura paralele dhe të paligjshme.

Që nga fillimi i vitit 2024 janë mbyllur dhjetëra institucione të tilla serbe, përfshirë organet e përkohshme komunale, postat, bankat, qendrat për punë sociale dhe të tjera.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka reaguar duke deklaruar se “hyrja” në ambientet e Shërbimit Nacional për Punësim përbën “sulm të drejtpërdrejtë ndaj një prej të drejtave themelore të njeriut”.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se me mbylljen e institucioneve serbe, Kosova po përpiqet të “shkatërrojë prezencën e shtetit serb me qëllim frikësimin, margjinalizimin dhe dëbimin e popullit serb”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se nga Shërbimi Nacional për Punësim varen dhjetëra mijëra qytetarë dhe se autoritetet e Kosovës “po synojnë përndjekjen e popullit serb dhe nxitjen e konflikteve”.

Ndërkohë, anëtarët e klubeve sportive që kishin përdorur ambientet e palestrës së mbyllur sportive në Mitrovicën e Veriut, protestuan më 16 maj duke kërkuar kthimin e hapësirave në mënyrë që të mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre.

Në tubim morën pjesë edhe disa përfaqësues të Listës Serbe.

Të rinjtë, të cilët ishin kryesisht të shoqëruar nga prindërit e tyre, deklaruan se po u “mohohet e drejta për të ushtruar sport dhe për të marrë pjesë në aktivitete”.

Nga ana tjetër, Komuna e Mitrovicës së Veriut njoftoi se palestra sportive është funksionale dhe se të gjithë të interesuarit për ta shfrytëzuar duhet t’i drejtohen personave përgjegjës për caktimin e termineve.

Ndërkohë, Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me veprimet e fundit të autoriteteve kosovare, të cilat, siç thuhet, ndikojnë negativisht në ofrimin e shërbimeve për komunitetet jo-shumicë.

“Mbyllja e këtyre institucioneve, pa alternativa të qëndrueshme, pa përfshirjen e komunitetit lokal dhe pa një tranzicion institucional, e rrezikon seriozisht qasjen në shërbime themelore për komunitetet jo-shumicë”, thuhet në reagimin e misionit.

Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, më 15 maj përsëriti shqetësimin për “veprimet e shumta të autoriteteve të Kosovës kundër strukturave të udhëhequra nga Serbia, të cilat ofrojnë shërbime për komunitetin serb”.

“Çështja e këtyre strukturave duhet të zgjidhet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Këto veprime dërgojnë një sinjal negativ për partnerët e Kosovës. Franca po ndjek me vëmendje ndikimin e këtyre vendimeve në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës,” shkroi Guerot në rrjetin X.

Edhe shtetet e tjera perëndimore më herët kanë shprehur shqetësime për mbylljen e institucioneve të Serbisë pa dhënë paraprakisht ndonjë zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve.