Policia e Kosovës kërkon pizhame dhe çorapë për zyrtarët policorë – kontratë 333 mijë euro për 36 muaj

Policia e Kosovës ka hapur një tender për furnizim me pizhame dimri dhe çorapë për zyrtarët policorë, një kontratë kornizë që pritet të zgjasë 36 muaj dhe që ka një vlerë të parashikuar prej 333 mijë eurosh, shkruan Demokracia.com.

Sipas njoftimit për kontratë, tenderi është ndarë në dy pjesë:

Pjesa e parë parasheh furnizimin me pizhame dimri për meshkuj (13,200 palë), pizhame dimri për femra (4,000 palë) dhe çorapë (39,000 palë);

Ndërsa pjesa e dytë përfshin furnizimin me çorapa termike (2,400 palë).

Aktualisht, në dokumentet e tenderit nuk janë të përcaktuara çmimet për njësi apo emrat e prodhuesve, pasi ato do të plotësohen gjatë fazës së ofertimit nga operatorët ekonomikë.

Tenderi është një përpjekje e radhës e Policisë për të siguruar uniformat dhe veshmbathjen e nevojshme për pjesëtarët e saj, një proces që ka hasur në vështirësi të përsëritura gjatë viteve të fundit.

Në disa raste, procedurat e furnizimit me uniforma janë dështuar ose janë anuluar, duke lënë pjesëtarët e policisë pa pajisjet bazike të punës. Po ashtu, projekti për furnizim me autobusë për transportin e zyrtarëve policorë është përballur me anulime dhe vonesa të njëpasnjëshme.

Policia pa kontratë për uniforma prej 4 vitesh: Dështoi edhe procedura emergjente pasi Sveçla nuk e nënshkroi tenderin milionësh

Megjithatë, ndoshta këtë herë Policia do të ketë më shumë fat, të paktën për t’u siguruar që policët të mos i zë dimri pa pizhame e pa çorapë. /Demokracia.com/