Policia e Kosovës arreston një inspektor të punës, kërkoi ryshfet për të lejuar zhvillimin e punimeve në një punishte

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka arrestuar një inspektor të punës nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Sipas Policisë, hetimet kanë vërtetuar se viktima M.K., pronar i një kompanie ndërtimi dhe shtetas i huaj me leje të përkohshme qëndrimi në Republikën e Kosovës, është kushtëzuar dhe penguar në realizimin e punimeve ndërtimore nga një inspektor i punës, G.B., pjesë e Inspektoratit të Punës. I dyshuari thuhet se i ka kërkuar viktimës shumën prej 2,000 euro ryshfet për t’i lejuar vazhdimin e punimeve, duke e kërcënuar se në të kundërtën do t’ia ndërpriste aktivitetet ndërtimore.

Gjatë gjithë fazës së hetimit, policia ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Si rezultat i veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale, përfshirë sekuestrimin e shumës prej 1,000 eurosh të dyshuara si ryshfet, telefonin mobil të të dyshuarit, si dhe dëshmi të tjera relevante.

Bazuar në këto prova, autoritetet kanë konstatuar dyshimin e bazuar se G.B. ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të KPRK-së.

I dyshuari është intervistuar sot në prani të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.