Policia bllokon përkohësisht qarkullimin në segmentin e rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugë, është ndaluar përkohësisht qarkullimi i automjeteve në një segment të rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë.

Sipas njoftimit, bllokimi ka të bëjë me segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, përkatësisht nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt. Vendimi është marrë në koordinim me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.

Policia ka bërë të ditur se qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës, deri në normalizimin e gjendjes në këtë segment rrugor.

Ky veprim, sipas autoriteteve, është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik.