Polici thotë se natën kritike në Banjskë, dëgjoi të shara në gjuhën serbe pasi përfundoi detonimi

Në sesionin e pasdites në gjykimin në rastin “Banjska”, të enjten është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit edhe zyrtari policor Avni Shala, i cili tha që pas detonimit, ka pasur gjuajtje rafal të armëve të kalibrave të ndryshëm dhe se ka dëgjuar disa sharje në gjuhën serbe.

“Ka pas të shtëna pothuajse njëkohësisht me detonimin. Në bazë të krismave, vlerësoj që kanë qenë të kalibrave të ndryshëm, prej pjesës së fshatit kanë qenë disa drejtimshe. Por, një gjë që e di sigurt, pasi që detonimi ka përfundu dhe gjuajtjet nga anë të ndryshme, kryesisht nga fshati, kam dëgju më vonë sharje në gjuhën serbe dhe rafalle. E them këtë saktë, sepse edhe pse detonimi na i kishim veshët keq, prapë i kam dëgju sharjet në gjuhën serbe dhe njëkohësisht rafalet”, tha ai.

Shala deklaroi se në ditën kritike, kishte qenë në stacionin policor në Zveçan, ku rreth orës 02:00 kishte marrë infromacion nga kolegët e vijës kufitare se në urën në fashtin Banjskë ishte vendosur një barrikadë, raporton “Betimi për Drejtësi“.


Ai tha që rreshteri Afrim Bunjaku ishte nisur me tre kolegë, ndërsa vetë Shala së bashku me një koleg tjetër ishte nisur pesë minuta më vonë.

“Gjithsej kanë qenë katër kolegë, mes tyre edhe kolegu Afrim Bunjaku. Me dy automjete janë shkuar në drejtim të Banjskës. Unë, si polic i trafikut, kam kërkuar nga kolegu Halim Behramaj që të shkojmë edhe ne, sepse kam vlerësuar se janë pak katër policë, dhe jemi nisur përafërsisht 5 minuta pas tyre”, tha ai.

Sipas Policisë, kur kanë arritur në fashtin Banjskë, ka vërejtur që në pjesën ku ishte e vendosur barrikada ishte e ekspozuar në ndiçim publik, ndërsa pjesa pas barrikadës, pra pjesa ku ishte fshati ishte në errësirë.

“Mbaj mend që vendi ku ka qenë e vendosur barrikada ka qenë nën ndriçim publik, kurse pas barrikadës kanë qenë dy kamionë të vendosur në mënyrë paralele. Ndërsa, i tërë fshati nuk ka pasur ndriçim publik, ndërsa as në shtëpitë nuk kanë pasur ndriçim”, tha ai.

Gjatë dëshmisë, polici Shala tha se i kujtohet se si kolegu Elez Peci ka thënë se diçka nuk është në rregull dhe se kjo mund të jetë kurth.

Ai shtoi se duke u nisur në drejtim të barrikadës nuk ka kaluar shumë kohë dhe është dëgjuar një detonim i fortë dhe gjuajtje të armëve të kalibrave të ndryshëm.

“Nuk ka kaluar shumë kohë kur është dëgjuar një detonim, i cili ka shkaktuar një zbardhje të të gjithë rrugës, dhe në të njëjtën kohë janë dëgjuar të shtëna nga drejtime të ndryshme, të kalibrave të ndryshëm- vlerësoj nga zhurma. Unë, për një moment, kam arritur të kthehem sërish te automjeti im, me këmbë e duar, dhe aty jam i përgjigjur zjarrit, ku kam vlerësuar se janë duke ardhë me shumë krisma”, tha dëshmitari.

Po ashtu, ai tha se kishte vërjetur edhe trupin e rreshteri Bunjaku, i cili nuk lëvizte.

“Pas sa kohe, nuk e di, kam vërejtur se aty një person ishte i shtrirë. Nuk kam qenë i sigurt nëse ishte rreshteri dhe kam vërejtur nga këmba që nuk lëvizte”, shtoi ai.

Po ashtu, dëshmitari Shala tha gjatë gjithë kohës, droni po përcillte lëvizjet e tyre.

“Kemi pasur dronin mbi kokat tona duke na përcjellë, dhe ashtu kemi qëndru duke ju përgjigjur, pasi që minuti është orë në ato momente”, tha tutje dëshmitari.

Në vazhdim, Shala tha që nuk ka parë persona, për shkak se ka qenë errësirë e plotë.

“Unë nuk kam pa persona, sepse nuk kam pas mundësi, sepse ka qenë barrikada, pastaj kanë qenë automjetet tona, errësirë e plotë. Kam dëgju zëra, siç e thashë, sharje dhe krisma të kalibrave të ndryshëm. Kam vërejtur dronin mbi kokat tona”, tha ai.

Sipas tij, personat të cilët kanë sulmuar, kanë qenë super të stërvitur dhe që ky sulm ishte sulm ushtarak.

“Unë i bëj 23 vjet përvojë pune, nuk kam parë ndonjë gjë të tillë. Kemi pasur sulme, arrestime, por ky ka qenë diçka tjetër. Nëse marr parasysh krismat me armë, zollat, dronët – më jep përshtypjen që këta persona kanë qenë mirë të organizuar, të stërvitur. Kam qenë në rrezik që nuk kam qenë më herët. Ne jemi të përgatitur, por jo për këtë nivel, ky ka qenë sulm ushtarak. Unë kam ditur të operoj, nëse mua më thuhet të gjuaj me zolla, nuk di, sepse nuk jemi të stërvitur. Kjo më lë të kuptoj që këta persona kanë qenë super të organizuar dhe super të stërvitur”, tha ai.

Polici tha se pas tri dite, është kthyer sërish në vendin e ngjarjes, në të cilin kanë parë edhe mbetje të pashpërthyera të predhave dhe ka vërejtur se si pozita e tyre ka qenë shumë më e pafavorshme.

“Pas tri dite, ne punojmë në atë zonë dhe kemi shku nga kureshtja, kolegët kishin fotografu mbetjet e predhave të pashpërthyera. Pastaj, kemi pa nga Manastiri dhe kam pa pozicionin e pavaforshëm ku kemi qenë ne, kemi qenë si në pëllëmbë të dorës. Ne kemi qenë në pikën më të ulët të fshatit”, shtoi ai.