Polici serb i Kosovës i referohet shtetit “Kosova Metohija” në profilin e tij

Stefan Iliç, zyrtar policor që i përket gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës, prej kohësh në profilin e tij në Instagram mban mbishkrimin “Kosova e Metohija”, një referencë jozyrtare dhe politike që nxit përçarje dhe urrejtje, e cila, sipas ligjeve në fuqi, përbën vepër të dënueshme.

Iliç, i diplomuar në korrik të këtij viti, është i angazhuar në stacionin policor në veri të vendit, konkretisht në ekipin A.

Klan Kosova ka kontaktuar Policinë e Kosovës lidhur me këtë rast, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pranuar ndonjë përgjigje zyrtare nëse dhe çfarë masash merren në raste të tilla.

Ndërkaq sa i përket aspektit ligjor, avokati Visar Rrecaj pohon se kjo është shkelje e rëndë.

“Referimi i zyrtarit policor vendit e shtetit te cilit i shërben Kosovës, me termin jo zyrtar ‘Kosova e Metohija’ është shkelje e rëndë madje edhe i betimit të dhënë, pasi ai pikërisht betohet se do të jetë besnik ndaj Republikës së Kosovës, ndërsa t’i referohet kësaj republike me Kosova Metohi është më shumë se shkelje e betimit”, tha Rrecaj për Klan Kosova.

Nga Altiana Zogaj