Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të angazhuar në Stacionin Policor të Kaçanikut.
Rekomandimi për suspendim është dhënë për shefin e Njësisë Operative, Jaser Jaha, dhe për mbikëqyrësen e Njësisë për Ndërlidhje me Gjykata, Jalldeze Krasniqi.
Në një fotografi të siguruar nga Insajderi, shihet se polici i suspenduar, Jaser Jaha, kishte lidhje të afërta me rreshterin Muhamet Lika. Në vitin 2020, rreshteri Lika kishte postuar një fotografi ku ai dhe Jaha shfaqeshin duke dhuruar gjak.


Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, hetuesit e IPK-së kanë filluar veprime hetimore paraprake lidhur me zbatimin e urdhëresës për arrestimin e Rejhan Belës, i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dhe komunikimet zyrtare të pranuara, IPK ka ngritur dyshime të arsyeshme se dy zyrtarët policorë kanë dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në ekzekutimin e kësaj urdhërese për arrestim.
“Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja, ekziston dyshimi se një toger policor, në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar.
Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore, dyshohet se një rreshter policor, i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë për ndërlidhje me gjykatat, ka dështuar të raportojë në kohë dhe me saktësi për urdhëresën për arrest, si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj”, thuhet në njoftim.
Të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK ka rekomanduar suspendimin ishin të angazhuar në Stacionin Policor të Kaçanikut.