Nga muaji mars zyrtarët policorë nuk janë kompensuar për orët e tyre shtesë. Ish eprorë të Policisë së Kosovës kanë vlerësuar se kjo ndikon në motivimin e tyre për punë, derisa kanë kërkuar veprim të menjëhershëm të menaxhmentit.
Nga muaji mars, zyrtarët policorë nuk janë kompensuar për orët e tyre shtesë.
Ani pse ishte premtuar se kjo do të realizohej, tëvë1 ka mësuar se ende asnjë pjesëtar i Policisë nuk ka marrë bashkë me pagën e tyre këto shtesa.
Mediumi ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për arsyen se pse nuk janë kompensuar zyrtarët policorë, por që deri në publikimin e kronikës nuk ka pasur përgjigje.
E një nga ish-drejtorët e Policisë, thotë se kjo çështje duhet trajtuar me seriozitet për shkak se policët kanë punuar edhe me orare të tejzgjatura.
“Kanë dhënë një kontribut në ofrimin e sigurisë dhe ata atje angazhohen me detyra nga hierarkia komanduese, nëpërmjet planeve operative. Ata nuk kanë shkuar atje vetë sipas dëshirës dhe t’i bëjnë disa orë shtesë, mirëpo është kërkuar nga ta që të shkojnë dhe të angazhohen. Mendoj që është obligim ligjor nga Qeveria e vendit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme që të kompensohen orët që realisht ata kanë punuar”, ka thënë Qalaj.
Qalaj që është deputet, thotë se edhe kriza politike me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës ka ndikuar në këtë vendim.
“Moskonstiuimi i Kuvendit ndikon tek popullata e mbanë në Kosovë, mendoj që ne si vend, si popull kemi pasoja për shkak të fondeve që duhet të kalojnë ligjet e ndryshme në Kuvendin e Kosovës dhe jemi duke humbur shumë si shtet. Mirëpo për këtë duhet fajësuar dhe adresa është e qartë, është koalicioni që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit për Parlamentin e Kosovës, pra është LVV, Lista Guxo dhe Alternativa të cilat janë duke e mbajtur Parlamentin në bllokadë”, është shprehur ish- drejtori i PK-së.
Edhe nënkoloneli në pension, vlerëson se situata aktuale është shqetësuese, andaj kërkon veprim të menjëhershëm.
Madje, sipas tij kjo ndikon edhe në motivacionin e zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
“Është aspekti juridik që ua mundëson atyre që t’i bëjnë pagesa të tilla dhe janë të nevojshme për zyrtarët policorë pasi që shumica prej tyre kanë kredite… Nëse një kohë të gjatë nuk paguhen shtesa të tilla ndikon në motivimin e tyre, në vullnetin e tyre për punë në dëshirën e tyre për ta luftuar krimin dhe dukuri tjera negative. Prandaj një punë ose pagesë sa më e shpejtë mendoj se e ngritë moralin e zyrtarëve policorë në luftë kundër krimit, dukurive negative dhe në zbatueshmëri të Ligjit mbi Policinë” , ka thënë Morina.
Kompensimi i tyre për orët shtesë parashihet edhe me Ligjin për Policinë e Kosovës.