Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë, ka realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit kontrolle në dy lokacione të ndryshme në regjionin e Gjakovës, shkruan Insajderi.
Si rezultat katër zyrtarë policorë janë shoqëruar në stacion për tu intervistaru. Ata po hetohen për veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, njofton IPK.
Gazeta Insajderi mëson përmes burimeve se të dyshuarit kanë dhënë informacione të personave që policia ka qenë duke i hetuar.
“Këta të dyshuar herë pas here kanë dhënë informacion për qytetarët që policia ka qenë duke i hetuar për krime të ndryshme”, tha burimi për Insajderin.
Gjatë realizimit të kontrolleve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.
“Deri në këtë fazë të hetimit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) zyrtarë policorë të dyshuar në praninë e mbrojtësve të tyre ligjor. Nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse, thuhet në njoftimin e IPK’së.