Policët amerikanë falënderojnë shqiptarin për befasinë që u bëri

Shqiptarët prej vitesh jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po ndërtojnë jetën dhe bizneset e tyre me sukses.

Ndër ta është edhe Mergim Lala nga Ferizaj, i cili prej më shumë se katër dekadash jeton dhe vepron në Houston të Texasit.

Ai drejton me sukses biznesin familjar të picerisë “Brother’s Pizza”, një emër i vlerësuar lart nga komuniteti amerikan, por edhe nga forcat policore të zonës.

Shefi i policisë së qarkut Harris, Mark Herman ka falënderuar pronarin shqiptar të picerisë “Brothers Pizz” për befasinë që u ka bërë policëve të stacionit të katërt.

“Sot, Mike nga Brothers Pizza vizitoi Stacionin e Patrullës Holzwarth të Konstablit Mark Herman, duke sjellë pica të shijshme për zëvendësit tanë. Gjatë vizitës, ai i falënderoi personalisht për punën e jashtëzakonshme që ata kryejnë çdo ditë në shërbim të komunitetit. Ky gjest mirënjohjeje dhe mbështetjeje vlerësohet thellësisht nga i gjithë stafi”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Ndryshe, piceria kohë pas kohe i shpërblen pjesëtarët e tjerë që shërbejnë në dobi të komunitetit, të tillë, si zjarrfikësit.