Pas gati dy vitesh larg fushave, Paul Pogba është gati të shkruajë një kapitull të ri të karrierës së tij. Mesfushori francez, tashmë zyrtarisht lojtar i ri i Monaco, rikthehet të luajë në atdhe pas një skualifikimi të gjatë për doping. Klubi i Principatës njoftoi mbërritjen e tij si lojtar i lirë, teksa firmosi kontratë 2-vjeçare, që do ta lidhë me ekipin deri në vitin 2027.
Një moment plot emocione për Pogba, i cili nuk arriti t’i mbante lotët në momentin e firmës. Ish-lojtari i Juventusit dhe Manchester United kaloi një kalvar të gjatë. Francezi u skualifikua në vitin 2023 pas një kontrolli antidoping, mbas ndeshjes mes Udineses dhe Juventusit, sepse kishte rezultuar pozitiv për DHEA, një substancë e ndaluar, sepse stimulon prodhimin e testosteronit. Fillimisht i pezulluar për 4 vite, Pogba më pas arriti të marrë një ulje dënimi në 18 muaj falë apelimit të bërë.
Tani, në moshën 32-vjeçare, Pogba përpiqet të rilançojë karrierën e tij në Ligue 1, kampionatin ku kishte debutuar në vitet e para të formimit si futbollist. Monaco po “vë bast” mbi të për cilësinë, përvojën dhe karizmën e tij, duke shpresuar që lojtari të rikuperojë formën fizike dhe vazhdimësinë. Për kampionin e botës 2018, kjo është më shumë se një firmë e thjeshtë; është rikthim në jetën e futbollistit, me dëshirën për të lënë pas një periudhë të errët dhe treguar se mund ta bëjë ende diferencën në nivele të larta.
The post Pogba, makthi mori fund. Kampioni i botës 2018 firmos i përlotur me Monaco appeared first on Telesport.