Podujeva rekomandon tender për furnizim me dru 30% mbi vlerën e parashikuar, në kundërshtim me ligjin

Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, ka hapur një tender për furnizim me dru, duke rekomanduar për kontratë një grup kompanish me çmim dukshëm më të lartë se vlera e parashikuar nga vetë komuna. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Podujeva ka nënshkruar disa kontrata mbi vlerën e parashikuar. Nëse çmimi i kontratës tejkalon vlerën e përcaktuar në tender, kjo tregon se autoriteti kontraktues nuk ka bërë si duhet llogaritjen e kostove. Për më tepër, Ligji i Prokurimit parashikon që në raste të tilla procesi i prokurimit të anulohet plotësisht, të sigurohen fonde shtesë dhe të hapet një tender i ri, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Podujevës, ka shpallur një tender për furnizim me dru, duke rekomanduar për kontratë një grup kompanish me ofertë shumë më të lartë se vlera e parashikuar nga vetë autoriteti kontraktues.

Sipas dokumenteve të tenderit, komuna ka përcaktuar një vlerë të parashikuar prej 520,000.00 euro, ndërsa grupi i kompanive të rekomanduara – “Timber” shpk, “Bilaim Bejta BI” shpk dhe “Marigona AU” shpk  kanë paraqitur një ofertë me vlerë 674,900.00 euro, ose rreth 30% më shumë se buxheti fillestar.

 

Oferta e rekomanduar ishte më e shtrenjtë edhe se e disa kompanive tjera që u eliminuan për arsyeje të ndryshme.

Një tejkalim i tillë bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Konkretisht, neni 62, paragrafi 2, pika 2.1 përcakton qartë se:

“Autoritetet kontraktuese mund të përfundojnë atë aktivitet të prokurimit i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet:
2.1. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit.”

Pra, nëse të gjitha ofertat janë mbi vlerën e parashikuar, ligji obligon anulimin e procesit dhe hapjen e një tenderi të ri me buxhet të rishikuar.

 

Edhe Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 43 flet për “Ndërprerjen e procedurave të prokurimit”.

“43.7 Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen e mëposhtme:

  1. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK. Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”.

Duke tejkaluar vlerën e përcaktuar, Komuna e Podujevës tregon për keqmenaxhim të fondeve publike, pasi një llogaritje e saktë e vlerës së tenderit është thelbësore për të shmangur keqpërdorimet dhe dështimet në prokurim. Për më tepër, është praktikë e përsëritur e kësaj komune që disa kontrata t’i nënshkruajë mbi vlerën e parashikuar, duke ngritur dyshime për shkelje të transparencës dhe rregullave financiare.

Megjithatë, komuna e ka pezulluar këtë procedurë të prokurimit, pasi një kompani ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke pretenduar se i është bërë padrejtësi në arsyetimin e anulimit të ofertës së saj.

Komuna e Podujevës ka argumentuar shkurtimisht se “kompania gjendet në listën e zezë të OSHP-së”. Në kundërpërgjigje, kompania ankuese ka paraqitur një vendim të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili, sipas saj, ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të OSHP-së.

Si do që të jetë, për këtë çështje pritet të vendosë OSHP-ja. /Demokracia.com/