Sot bëhen një javë nga vrasja e trefishtë në qendër të Gjilanit. Policia ka shpallur në kërkim tre të dyshuar, Mefail Shkodrën bashkë me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra.
Nga Policia në Gjilan kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se po punohet intensivisht për rastin.
“Po punohet intensivisht lidhur me rastin. Në momentin që ka zhvillime të reja që lidhen me këtë rast menjëherë do të ju njoftojmë”, tha Ismet Hashani për Reporteri.net, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit.
Nga ky rast mbetën të vrarë babë e bir, argjendar, dhe një person tjetër, i cili vdiq në QKUK, pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Kurse personi i katërt i plagosur, gjendja e tij tashmë është stabile.
Dy nga të dyshuarit, Mefail Shkodra dhe djali i tij, Edonisi, ishin arrestuar në fund të muajit qershor të vitit 2024 për fajde.
Të premten e 15 gushtit, Prokuroria në Gjilan deklaroi se nga viti 2000 janë iniciuar 5 raste penale ndaj Mefail Shkodrës e janë ngritur katër aktakuza.
“Duke marrë shkas nga raportimet lidhur me të kaluarën penale të dyshuarit Mefail Shkodra, njoftojmë opinionin publik se për të njëjtin në Prokurorinë Themelore në Gjilan nga Policia e Kosovës nga viti 2000 janë pranuar gjithsejtë 5 raste penale, në 4 raste janë ngritur aktakuza sipas lëndëve PP.II.300/2005, PP.II.394/2011, PP.II.1091/2014, PP.I.154/17 dhe në lëndën PP.II.913/2023 është zgjidhur në procedurë të ndërmjetësimit”, thuhej në deklarim të prokurorisë.
Lidhur me vrasjet e fundit dhe sigurinë në vend, të premtën pasdite pati edhe protestë para Gjykatës Themelore të Gjilanit.
/Reporteri.net/