“Po presim, ia kemi dërgu ofertën”, kështu ka thënë deputetja e VV-së dhe e propozuara për kryeparalamentare, Albulena Haxhiu para tentativës së 51-të për konstituimin e Kuvendit, e pyetur nëse është arritur ndonjë marrëveshje me Nismën e Fatmir Limajt, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti dhe Limaj zhvilluan takim të shtunën e 19 korrikut për të gjetur një zgjidhje për dalje nga ngërçi institucional
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një konferencë të mbajtur të hënën, s’pranoi të jepte detaje nga takimi që ka pasur me Limajn.
Ai tha se i ka bërë ofertë direkte, por që kur u pyet nëse do t’ia jepte postin e Kryeparlamentarit, ai tha se po pret të zhvillohen edhe biseda tjera me të dhe atëherë veç do të japë elemente nga takimet.