“Po e katandis Kosovën para syve të botës”: Aleatët e Kosovës e “gozhdojnë” Kurtin për sulmet ndaj Kushtetueses

Sulmet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, ndaj Gjykatës Kushtetuese kanë nxitur reagime të ashpra të aleatëve të Kosovës. Qëndrimet e Kurtit nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, sipas ShBA-së dhe BE-se, janë përpjekje për ndërhyrje në drejtësi. Ata kanë bërë me dije se politika duhet të përmbahet nga çdo ndërhyje në gjyqësor.

E fundit që ka reaguar ndaj sulmeve është e ngarkuarës me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Ajo është shprehur e zhgënjyer me deklaratat e Kurtit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.

Në një përgjigje për “Kohën”, diplomatja amerikane ka thënë se këto deklarata rrisin paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka thënë Prattipati.

Sipas saj, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin në mes të dy vendeve.

“Ne jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, është shprehur Pratipati

Ditë më parë, edhe BE-ja ka bërë thirrje për përmbajtje nga çdo ndërhyrje në gjyqësor.

“Pikëpamja e Bashkimit Evropian në Kosovë është se një nga parimet themelore të sundimit të ligjit është pavarësia e gjyqësorit, dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të udhëzojë për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë aktorët politikë dhe institucionet të respektojnë këtë, dhe të përmbahen nga çdo formë e ndërhyrjes në punën e gjyqësorit, përfshirë përmes sulmeve personale”, kishte vlerësuar Zyra e BE-së në Prishtinë.

Zyra e BE-së: Të mos ndërhyhet e sulmohet Kushtetuesja, zgjidhja e bllokadës të mbështetet në karakterin shumë-etnik të Kosovës

Kurse, shefi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar të ndalen sulmet ndaj gjyqtarëve.

Në një postim në profilin e tij në rrjetin “X” të hënën, ai ka thënë se pavarësia e gjyqësorit është gurthemel i sundimit të ligjit.

“Pavarësia gjyqësore është një nga gurthemelet e sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë. Ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtuara drejtpërdrejt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që i kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”, ka thënë Giovanni Pietro Barbano.

Reagimet e ndërkombëtarëve i ka komentuar anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.

Ai ka vlerësuar se perspektiva e Kosovës me Albin Kurtin në detyrë është e zymtë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar kryetari i VV-së po e katandisë Kosovën para syve botës.

“Çka duhet të bëjë tjetër deputeti Albin Kurti, që po e mban kundërligjshëm edhe detyrën e Kyeministrit në detyrë, për ta parë të gjithë se qysh po e katandisë Kosovën para syve tanë dhe të gjithë botës? Edhe të miqve tanë, siç janë SHBA-të”, ka shkruar Hamiti, duke e përmendur qëndrimin e ambasadës amerikane për sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Kur drejtuesi i Qeverisë së Vetëvendosjes e rrit paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë, e minon procesin politik në vend, i dobëson institucionet e Kosovës dhe i përkeqëson tensionet ndëretnike, çka duhet të bëjnë të tjerët? Më e pakta që mund të bëjë njeriu është të mos rreshtohet me Albin Kurtin. Më tej, t’i kundërshtojë këto tendenca anti-demokratike të tij. Si Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar marrëveshjen më të keqe në procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë”, ka shkruar ai.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, edhe një herë të dielën ka sulmua ashpër Gjykatën Kushtetuese.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ai ka thënë se kjo gjykatë po funksionon si opozitë e VV-së.

“Gjykata Kushtetutese po funksionon si një hije politike opozite e Vetëvendosjes. Mëqe tash u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe. Pa arsysheshëm, besoj unë dhe kërkoj që 120 deputetë të Republikës të vegjetojnë deri më 30 shtator. Kjo është ngjajshëm sikur ministri ynë i Shëndëtësisë, Arben Vitia, të lëshoj një vendim mjeksor të ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmën dilemë që e kam është nëse kjo masë është më shumë absurde apo e dëmshme. Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës. Është shumë absurd dhe shumë e dëmshme. Gati nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit deri te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. 2/3 e kohës kemi qenë duke pritur vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilës i adresohej opozita”, ka thënë Kurti.

Sulmet e Kurtit ndaj Kushtetueses, Prattiparti: Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë