Pllana: 13 fëmijë janë të vrarë në familjen e Adem Jasharit, 23 në familjen Muçolli

I ftuar në emisionin “Five”, ish-gazetari i luftës dhe njëri nga dëshmitarët më të dokumentuar të krimeve serbe në Kosovë, Nusret Pllana, ka hedhur akuza të rënda ndaj institucioneve të vendit për mungesën e kujtesës institucionale dhe harresën që po rëndon mbi viktimat e gjenocidit.

“Shqiptarët edhe ashtu, ju e dini të gjithë, por edhe ne që defekt – kushtimisht po them – e kanë kujtesën e shkurtë. Harresa e kujtesës historike vazhdon të mbetet defekt, dhe një nga fenomenet më të shëmtuara të shqiptarëve”, deklaroi ai.

Pllana shprehu tronditjen e tij për mënyrën se si janë lënë në harresë viktimat më të pafajshme të luftës – fëmijët.

“Me u harru kaq shpejt, kaq lehtë, me kaq gjakftohtësi 1392 fëmijë të vram vetëm në luftën e fundit, në fund të shekullit 20, në zemër të Evropës demokratike… edhe 40 të tjerë në periudhën e viteve 1981–1997 që s’i përmend kurrkush.”

Ai denoncoi me tone të ashpra mungesën e një objekti muzeal mbi gjenocidin serb, sidomos për luftën e fundit në Kosovë, duke e cilësuar këtë një turp të klasës politike që ka udhëhequr vendin pas çlirimit.

“Me vetë faktin që qe 26 vjet, edhe pse është derdhë lumë gjaku për këtë liri që po e gëzojmë sot, një objekt muze mbi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve – sidomos të kësaj lufte të fundit në Kosovë – nuk është ngritë nga asnjë qeveri.”

Pllana solli me emra dhe shifra disa nga tragjeditë më të rënda familjare të kryera gjatë luftës:

Familja e komandantit legjendar Adem Jashari: 13 fëmijë të vrarë.

Familja e Poklekut të Drenicës heroike: nga 54 të vrarë krejt civilë, 23 ishin fëmijë – më e vogla Lirije Muqolli, vetëm 6 muajsh.

Familja Berisha: 49 të vrarë, prej tyre 19 fëmijë.

Familja Gërxhaliu: 13 të vrarë, e gjithë familja – “me prind, me babë, me nanë, me gjysh, me gjyshe, me fëmijë” – e zhdukur në një ditë.

“Familja e Selatin Gërxhaliut e cila e pat më 31 maj përvjetorin e vrasjes, një krim që nuk mbahet mend që një familje të zhduket e tëra”, tha Pllana.