Plava tregon se çka i premtoi Murseli për vrasjen e Ademajt, përmendet emri i Pacollit

Granit Plava, një ndër tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, ka deklaruar se bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, i kishte ofruar pagë 1 mijë e 300 euro në muaj për ta kryer vrasjen.

Ai, gjatë një dëshmie në seancën gjyqësore të enjten, tha se Murseli i kishte premtuar se do t’i qëndronte afër bashkë me Behgjet Pacollin.

“Naimi më ka thënë se, pasi të dal nga ky rast, do të kujdesej për familjen time. Më ka premtuar pagë prej 1300 eurosh dhe se do të isha afër tij dhe Behgjet Pacollit. Më ka thënë: ’Ti e di që për këto gjëra nuk të rrej, vetëm merre përgjegjësinë’. Ai më ka thënë gjithashtu se nuk do të mbaja as dy vjet burg. Jo që nuk është kujdesur për mua, por as për veten nuk po kujdeset. Më ka marrë në qafë edhe mua. Kush do të kujdeset për gruan dhe fëmijën tim tani?”, ka dëshmuar Plava.

Plava ka thënë se tani e ka vërejtur që Pacolli nuk ka të bëjë me këtë çështje.

“Ai gjithmonë ka thënë se do të kujdesej për familjen time, por asnjëherë nuk i ka thirrur për t’u ofruar ndonjë ndihmë. Kur e kam marrë vesh të nesërmen që viktima ishte vetë gruaja e tij, nuk kam ditur më çfarë të bëj. Kam pasur më shumë frikë se mund t’i ndodhte diçka familjes sime. Tani po e vërej se në këtë çështje nuk ka të bëjë Behgjet Pacolli, por vetëm ai vetë. Kurrë nuk më ka treguar se personi në fjalë ishte gruaja e tij”, ka shtuar ai.

I dyshuari për ekzekutimin e Liridona Ademajt ka dëshmuar për njohjen e tij me Murselin dhe Kushtrim Kokallën, i dyshuari tjetër në këtë rast.

“Po të dy i njoh. Kushtrim Kokallën e njoh pak më shumë, sepse ka qëndruar më shpesh në katundin tonë, kurse Naim Murselin e kam njohur, por nuk kam pasur shumë kontakte. Vetëm kur vinte prej jashtë, vinte si ‘boss’ me kerre të mira dhe e kemi pasur privilegj me nejt me të.”