Nuk kanë mjaftuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit që LDK-ja të gjejë qetësinë. Një debat televiziv ka shërbyer si shkëndijë për një përplasje publike mes dy kandidatëve për deputetë, Sokol Havollit dhe Shqipe Pantinës. Derisa Pantina numëroi gabimet e udhëheqjes dhe “reformën e gjysmuar” të Lumir Abdixhikut, Havolli i është kundërpërgjigjur me një gjuhë tejet të ashpër: “Çka të duhen kundërshtarët kur i ke këta brenda?”.
Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me “tërmete” të brendshme pas dështimit në zgjedhjet e fundit nacionale. Ajo që nisi si një analizë kritike e Shqipe Pantinës në emisionin “Debat Plus”, ka përfunduar në një përplasje të hapur virtuale me Sokol Havollin, duke shpërfaqur ndasitë e thella brenda strukturave të partisë.
Kandidatja për deputete, Shqipe Pantina, nuk ka kursyer kritikave për partinë e saj, duke thënë se LDK-ja ra në grackën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas saj, partia humbi orientimin duke u marrë ekskluzivisht me opozitë ndaj Kurtit dhe duke lënë anash alternativën që duhet t’u ofronte qytetarëve.
“Pse ekziston një parti politike? A ekziston veç me i bo opozitë një partie që është në pushtet apo ekziston për shkak se ti përfaqëson diçka, i përfaqëson disa vlera, i përfaqëson disa parime. Këtu ka qenë huqja edhe e LDK-së, sepse u fokusuan shumë me i bo opozitë Kurtit, duke harruar vlerat që ata i përfaqësojnë. Në rregull është, opozitën duhesh ta bësh. Për një qytetar, një votues që nuk i përket asnjë subjekti politik dhe po pajtohet që Kurti nuk po qeverisë mirë, ai do me pa se çka i ofron t’i ndryshe, cila është alternativa?Kritika që unë e kam për subjektin tim, jashtë fushatës, kur është hera e fundit që kryetari, nënkryetarët, kryesia e kanë vizitu një nëndegë?”, ka pyetur Pantina, duke goditur direkt mungesën e punës në terren.
Pantina ka shkuar edhe më tej, duke thumbuar direkt projektin e kryetarit Lumir Abdixhiku për reformimin e partisë. Ajo e quajti procesin të gabuar pasi, sipas saj, u tentua eliminimi i strukturave të vjetra për t’u dhënë pozita udhëheqëse personave pa përvojë politike.
“Reforma është lënë në gjysmë. Nuk mund të bësh reformë duke larguar strukturat e vjetra. I është dhënë hapësirë dikujt që nuk e njeh LDK-në dhe vjen nga fusha krejt tjera, duke krijuar rezistencë te anëtarësia”, u shpreh ajo.
Këto deklarata nuk janë gëlltitur lehtë nga “krahu tjetër” i partisë.
Sokol Havolli, po ashtu kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, ka reaguar përmes një shkrimi publik ku e ka akuzuar Pantinën për goditje pas shpine ndaj partisë.
“Çka të duhen kundërshtarë politikë kur disa janë brenda? Shqipe Pantina pas çdo dështimi politik personal, sonte ia dha edhe një goditje LDK-së. A je mirë? Apo kaq të ka mjaftu? Pfff…”, ka shkruar Havolli.











