Plani për deportimin e emigrantëve në Ballkanin Perëndimor nxit drojë për infiltrim nga Rusia

MI6 paralajmëron se afërsia e vendeve të rajonit me Rusinë, veçanërisht në rastin e Serbisë, krijon rrezik serioz për ndërhyrje të mundshme nga Kremlini.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer, synon të çojë përpara planin për të ngritur “stacione të kthimit” për emigrantët në vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht paralajmërimeve të shërbimit inteligjent britanik – MI6, i cili ka shprehur drojë për rrezikun e infiltrimit të spiunëve rusë, posaçërisht në rastin e Serbisë.

Në bazë të burimeve qeveritare të gazetës “The Times” që i ka kushtuar vëmendje kësaj çështjeje, intelegjenca britanike ka paralajmëruar se rajoni nuk është i sigurt për vendosjen e këtyre qendrave, për shkak të ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Në raportin e sigurisë thuhet se krijimi i infrastrukturës së ndjeshme në një zonë që konsiderohet si “sferë e ndikimit rus” në Evropë paraqet rrezik të infiltrimit dhe ndërhyrjes nga agjentët rusë, duke qenë se regjimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tashmë ka dëshmuar se përdor migracionin si mjet për qëllime destabilizuese.

Në listën paraprake të qeverisë britanike për vendet pritëse përfshihen Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, ndërsa Shqipëria është përjashtuar ngase kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka refuzuar hapur një marrëveshje të tillë.

Serbia përmendet si vendi më i ndjeshëm, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe faktin që qytetarët rusë mund të hyjnë e dalin lirisht në territorin e saj. E raportet për armë dhe logjistikë ruse që kalojnë përmes Serbisë rrisin më tej drojën e shërbimeve britanike të sigurisë.

Qeveria e Britanisë së Madhe synon t’i bëjë publike destinacionet e qendrave të kthimit para se të organizojë samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër këtë vjeshtë, në kuadër të Procesit të Berlinit, ku emigracioni do të jetë çështja kryesore.