Krahas kushteve të cilat duhet t’i përmbushë, duke ngecur në konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, Kosova është duke e vonuar vetën në raport me përfitimet deri në 882 milionë euro nga Plani i Rritjes. Derisa disa nga shtetet fqinje vese kanë marrë deri në 7% të mjeteve që u takojnë, Kosova duhet të pres ratifikimin e marrëveshjeve me BE-në, për të fituar të drejtën për qasje në fonde.
Derisa muajin e kaluar Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përfituan nga para-financimi në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kosova ende nuk i ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjet me Bashkimin Evropian.
Madje, me vonesat në konstituimin e legjislaturës së nëntë, Kosova rrezikon ta vonojë vetën edhe më shumë në rrugën që mund t’i ofroj qasje në fonde deri në 882 milionë euro, në formë grantesh dhe kredish.
Pas përfundimit të seancës së fundit, shqetësime lidhur me këtë ngritën edhe monitorues të punës së Kuvendit.
“Do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në shumë prej proceseve nëpër të cilat është duke kaluar Kosova dhe për të cilat nevojitet votë e Kuvendit, me theks të veçantë te disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me planin e reformave në kuadër të procesit që tashmë është duke u zhvilluar si formë kushtëzimi nga ana e Bashkimit Evropian”, ka thënë Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.
Duke vënë në pah edhe kushtet politike për përfitim, profesori Dritoëro Arifi tha me ngecjen në çështje procedurale, teknike e ligjore, Kosova po e dëmton vetën.
“Është një mundësi që mund ta humbasin, sepse kur po flasim jemi në fund të muajit të katërt dhe po i afrohemi gjashtë-mujorit të këtij viti dhe është e rrezikshme sepse plani i rritjes është paraparë të përfundoj deri në vitin 2027. Kjo mund të na kushtojë jashtëzakonisht shumë…. Për fat të keq, elita politike në Kosovë po na tregon disa herë që ka dështuar, po dështon dhe, për fat të keq, do të dështojë edhe në të ardhmen. Dhe, kjo do të jetë në kurriz të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Dritëro Arifi, Profesor.
Marrëveshja e parë në kuadër të instrumentit të rritjes, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ishte nënshkruar në fund të Nëntorit.
Megjithatë, ajo nuk u miratua përkundër që legjislatura e tetë, zyrtarisht, kishte mandat deri në muajin Mars.