Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Bruksel.
Arritja e liderëve pritet të nisë nga ora 16:30, ndërsa konferenca nis nga ora 19:30.
Takimi, i kryesuar nga Presidenti António Costa, do të shërbejë si një mundësi “për të demonstruar dhe rikonfirmuar” forcën e marrëdhënies strategjike BE-Ballkani Perëndimor dhe përfitimet që ajo u sjell qytetarëve.
Presidenti i Këshillit Europian do të përfaqësojë BE-në në samit së bashku me Presidenten e Komisionit. Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.
Në fund të samitit, do të lëshohet deklarata e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të pajtohen me deklaratën, ka njoftuar BE në faqen e saj zyrtare.
Partneriteti strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
Samiti do të shënojë rëndësinë e marrëdhënies politike dhe ekonomike midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja do të riafirmojë angazhimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, si dhe progresin e arritur në procesin e zgjerimit, të pasqyruar në raportin e fundit nga Komisioni”, tha Unioni.
Samiti do të nënvizojë rëndësinë e progresit të prekshëm në reforma, përafrimin me ‘acquis’, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimin.
Integrimi gradual dhe Plani i Rritjes
BE është e angazhuar për t’i afruar partnerët e Ballkanit Perëndimor me BE-në gjatë procesit të zgjerimit.
Integrimi i tyre gradual është duke vazhduar në disa fusha politikash, duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
Pritet që BE të mirëpresë progresin konkret në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor
I lansuar në vitin 2023, Plani i Rritjes synon të integrojë më tej partnerët e Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së, të çojë përpara bashkëpunimin ekonomik rajonal, si dhe të stimulojë reformat e nevojshme që lidhen me BE-në duke ofruar deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime.
Plani i Rritjes ka potencialin të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme dhe të përshpejtojë konvergjencën socioekonomike midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me kusht që partnerët të zbatojnë reformat që lidhen me BE-në.
“BE-ja është partneri kryesor dhe më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor. Është partneri kryesor tregtar, investitori dhe donatori i rajonit”.
Çështjet e jashtme, siguria dhe mbrojtja
“Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor janë të bashkuar në mbështetjen dhe solidaritetin e tyre të palëkundur për Ukrainën”, thotë BE.
Unioni ka përgëzuar ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që tashmë janë plotësisht të përafruar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe tha se inkurajon përafrimin e mëtejshëm nga ata partnerë që ende nuk e kanë bërë këtë, duke iu referuar kryesisht Serbisë.
Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe rezistencën ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike për të luftuar ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin.
Bashkëpunimi në menaxhimin e migracionit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit
BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë një përgjegjësi të përbashkët për adresimin e sfidave të përbashkëta. Ata do të diskutojnë veprimet dhe përpjekjet e përbashkëta në fushat kryesore:
menaxhimi i migracionit
politika e vizave
luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore
menaxhimi i kufijve
lufta kundër korrupsionit, trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar
parandalimi dhe luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Samiti është pjesë e zbatimit të agjendës strategjike të Këshillit Eyropian 2024-2029, thotë BE.
Samitet e rregullta BE-Ballkani Perëndimor janë mbajtur që nga viti 2018. Samiti i fundit midis udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Bruksel në dhjetor të 2024-ës.
Samiti i ardhshëm do të zhvillohet në qershor 2026 në Mal të Zi.











