Plani i paqes Ukrainë-Rusi i propozuar nga administrata Trump tani ka 19 pika

Plani i paqes Rusi-Ukrainë i propozuar nga Shtetet e Bashkuara tani ka më pak pika pas negociatave në Zvicër për ta bërë draft-propozimin më të pranueshëm për Ukrainën, sipas një zyrtari ukrainas të afërt me çështjen.

Plani fillestar i paqes me 28 pika tani ka 19 pika, sipas zyrtarit. Nuk është e qartë se cilat pika u hoqën.

Zyrtarët amerikanë, evropianë dhe ukrainas u takuan në Gjenevë për të diskutuar propozimin e diskutueshëm të paraqitur në Kiev javën e kaluar, me kushte që kritikët thonë se do të përbënin një kapitullim të Ukrainës.

Të hënën në mëngjes, presidenti i SHBA-së, Donald Trump la të kuptohej se po bëhej përparim.

“A është vërtet e mundur që të bëhet përparim i madh në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës???”, shkroi ai në mediat sociale.

“Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur”, shtoi Trump, shkruajnë mediat e huaja,

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se delegacioni i tij po shkonte në shtëpi dhe, sapo të informohej për bisedimet, “ne do të përcaktojmë hapat e ardhshëm dhe kohën”.

“Që tani, pas Gjenevës, ka më pak pika, jo më 28, dhe shumë nga gjërat e duhura janë marrë në konsideratë në këtë kuadër”, ka thënë Zelensky në mediat sociale të hënën. “Ende ka diçka për të punuar së bashku – shumë e vështirë – për të hartuar një dokument përfundimtar, dhe ne duhet të bëjmë gjithçka me dinjitet”.

Në këtë drejtim, Zelensky tha se do të diskutojë çështje “të ndjeshme” me Trump.

E sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha të dielën se bisedimet e Gjenevës ishin “ndoshta takimi më produktiv dhe kuptimplotë që kemi pasur deri më tani në të gjithë këtë proces që kur u përfshimë”.

Rubio u tha gazetarëve se presidentët e të dy vendeve do të duhet të miratojnë çdo kornizë, por tha se ishte “i sigurt” që do ta bënin.

“Po bëjmë disa ndryshime dhe përshtatje me shpresën për të ngushtuar më tej dallimet dhe për t’iu afruar një rezultati me të cilin si Ukraina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara mund të ndihen rehat”, ka thënë më tej Rubio.

Më vonë të dielën, Rubio shtoi se të gjitha palët kishin bërë “hapa të mëdhenj” në një zgjidhje të mundshme paqeje me Rusinë.

Ai tha gjithashtu se afati për palët për të arritur një marrëveshje është “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se procesi mund të zgjatet përtej një afati të Ditës së Falënderimeve të vendosur nga Trump.

“Ka evoluar. Kjo është një punë – ky është një dokument i gjallë, që merr frymë çdo ditë me kontribut, ndryshon”, citohet të ketë thënë ai për propozimin.