Behram Zogjani s’furnizohet nga Ujësjellësi, por faturohet nga ai 900 euro. Lënda e borxhit ka përfunduar në përmbarim.
Furnizohet me ujë të pusit që nga paslufta. Me këtë ujë, Behram Zogjani nga fshati Grabovc i Ulët i Fushë Kosovës i kryen shërbimet ditore.
Megjithatë, ai ka një borxh prej 900 eurove në Ujësjellës.
Ani pse nuk i shfrytëzon shërbimet e kësaj kompanie, tetëdhjetë vjeçarit i janë mbledhur faturat e ujit.
E, vlera e tyre për një muaj kap shifrën prej një eurosh.
Për shkak të këtij borxhi ky plak mund të mbetet pa pensionin e tij, me të cilin edhe mbijeton pasi që lënda për mosshlyerjen e borxhit, i ka përfunduar në përmbarues privat.
E në Ujësjellës e pranojnë se një pjesë e fshatit Grabovc i Ulët nuk ka ujë të mjaftueshëm, por sipas tyre, banorëve i është faturuar uji që ata kanë përdortë, sado pak që ka qenë.
Remzi Llumnica, menaxher i njësisë së Ujësjellësit-Fushë Kosovë, thotë se Zogjani nuk i është përmbajt kontratës për shlyerjen e borxhit, për atë i është faturuar kjo shumë.
Televizioni T7 me ditë të tëra është munduar të marrë një përgjigje nga përmbaruesi privat, i cili po merret me borxhin e Zogjanit, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.