Forca e Sigurisë së Kosovës është deklaruar për Klan Kosovën lidhur me plagosjen e ushtarit të tyre 22-vjeçar, të dielën në fshatin Sharban të Prishtinës, ku i dyshuar është një koleg i tij.
Sipas FSK-së, arma e përdorur në këtë rast nuk është zyrtare e këtij institucioni, raporton Klankosova.tv
Në përgjigjen e tyre për redaksinë e Klankosova.tv, thuhet se rasti është në procedurë të hetimit.
“Ju njoftojmë që rasti ka ndodhur aksidentalisht jashtë ambienteve të FSK-së, arma e përdorur nuk është zyrtare e FSK-së dhe momentalisht rasti është në procedurë të hetimit.”.
Ushtari i Kosovës që u qëllua me armë zjarri është jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me incidentin, mbrëmë janë deklaruar për Klanin edhe nga Policia e Kryeqytetit.
“Policia ka pranuar informatën për plagosje me armë zjarri në fshatin Sharban në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend është plagosur një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor.”











