Policia e Tiranës ka identifikuar dhe proceduar penalisht 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, për plagosjen e lehtë të një shtetasi italian 20 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur më datë 29 korrik 2026, pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku gjatë një konflikti fizik, 20-vjeçari italian ka pësuar dëmtime të lehta trupore, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.
Sipas njoftimit të DVP Tiranë, pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e 8 të miturve, të moshës 13-15 vjeç.
Të miturit janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.








