Analisti Vehbi Kajtazi ka komentuar pjesëmarrjen e presidentes Vjosa Osmani në marshin “Drejtësi, jo politikë”, duke theksuar se ky manifestim ishte një shprehje e vullnetit të qytetarëve për të shprehur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve në Hagë.
Ai e përmendi këtë protestë si një ngjarje që ka pasur mbështetje, pavarësisht kushteve të vështira dimërore, dhe theksoi se presidentja Osmani ka pasur karakter politik, duke kërkuar drejtësi nga një mekanizëm që është politik.
“Manifestimi i fundit në fund të procesit, ka pasur një të tillë edhe në fillim të procesit, pra është e dyta e organizuara nga Liria ka Emër. Ky manifestim në këtë kohë, çfarëdo organizimi i mirë nuk kish mujtë me i nxjerr gjithë këta njerëz në shesh në pikë të dimrit. Vullneti i tyre për të manifestuar pakënaqësinë në raport me zhvillimet në Hagë. Po kërkohet drejtësi, megjithatë është problematike me kërku drejtësi nga një mekanizëm që është krejtësisht politik. Mendoj që atje po zhvillohet një proces krahas atij juridik, edhe politik sepse thelbi i diskutimit është politik”, tha Kajtazi në “Rubikon”.
“Zhvillimi më i rëndësishëm është dalja e presidentes Vjosa Osmani në këtë protestë. Ka interpretime të ndryshme pse ka dalë sot, fare nuk akne rëndësi për mua, e rëndësishme që ajo ka qenë sot në ballë të këtij manifestimi. Jep peshë të jashtëzakonshme, përfaqëson shtetin në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, po i përgjigjet një thirrje popullore për drejtësi”, deklaroi analisti në Klan Kosova.










