Numri i të certifikuarve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit tregon një nën-përfaqësim të vazhdueshëm të grave në nivel lokal dhe është më larg barazisë gjinore sesa në nivel kombëtar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe monitorues të proceseve zgjedhore thonë se vërehet një rritje e ngadaltë e përfaqësimit të grave.
Edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pjesëmarrja e grave është larg 50 përqindëshit, e pak mbi kuotën 30 përqindëshin që e obligon ligji.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i ka thënë Radio Kosovës se në numrin e përgjithshëm të të certifikuarve për zgjedhje vazhdojnë të dominojnë burrat.
“Për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra. Ndërsa, në zgjedhjet për Kuvende Komunale janë certifikuar 5 mijë e 419 kandidatë, prej të cilëve 3 mijë e 395 burra dhe 2 mijë e 24 gra”, thotë Elezi.
Kjo për zgjedhjet, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, shpërfaq dallimet e mëdha gjinore në listat e subjekteve politike.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që monitoron proceset zgjedhore, thotë se numri i vogël i kandidateve gra është vijimësi negative e mos përfshirjes së grave për nivelin lokal.










