Pikat e reja të zjarrfikësve, punimet për njërën prej tyre nisin në pranverë

Viti 2025 e gjeti Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë pa dy pika të reja, të cilat ishin premtuar nga kryetari Përparim Rama. Zjarrfikësit thonë se kjo do t’ua rriste efikasitetin dhe shpejtësinë e reagimit. Lidhur me çështjen, nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca thonë se fazat e para për krijimin e njërës prej tyre, do të nisin në pranverën e këtij viti.

Pozita në të cilën gjendet Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë i mundëson që në disa pjesë të kryeqytetit reagimin ta ketë të shpejtë dhe efikas në rast incidentesh.

Megjithatë, e njëjta vlerësohet se nuk mund të thuhet edhe për pjesët jashtë kryeqytetit.

Duke pasur parasysh distancën më të largët, nuk përjashtohet mundësia që të vonohet reagimi në raste incidentesh.

Kësaj problematike pritej që t’i jepte fund ndërtimi i dy pikave të reja, njëra në “Bregun e Diellit”, kurse tjetra në Hajvali, premtim ky i cili ishte dhënë nga kryetari Përparim Rama.

Por edhe fillimi i këtij viti i gjeti zjarrfikësit në kushtet e njëjta.

“Ne situatat po i menaxhojmë sepse eksperienca e bën të veten e nëse këto pika do ishin të vendosura do ishte më lehtë sepse distanca e reagimit, koha do ishte më e shkurtër për reagim dhe mbulueshmëria do ishte më e mirë”, ka deklaruar Samedin Shkodra, Zv. Komandat i Brigadës së Zjarrfikësve, Prishtinë.

Ndonëse vitin e kaluar, Rama shprehej pesimist se të njëjtat do realizoheshin brenda mandatit të tij, nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca thonë se fazat e para do të nisin këtë vit.

“Mjetet janë të ndara në buxhetin për vitin 2025. Lokacioni është përcaktuar për në Bregun e Diellit, projekti është përfunduar dhe pritet që në pranverë të fillojë realizimi”, ka deklaruar Lulzim Fushtica, Drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë.

Fushtica nuk ka dhënë detaje rreth pikës në Hajvali e as rreth kostos, por vitin që lamë pas, Rama kishte deklaruar për Dukagjinin se vlera e buxhetit të nevojshëm është rreth 4-5 milionë euro për secilën pikë.

Në Prishtinë, pika kryesore e zjarrfikësve gjendet në lagjen “Emshir”, kurse një pikë tjetër është edhe “Kodrën e Trimave”.