Picula, Serbisë: Arresto Radoiçiqin – pa njohje të Kosovës, s’ka BE

“Pa normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë integrim të plotë të të dyja vendeve në BE”.

Kështu është shprehur eurodeputeti Tonino Picula, në një intervistë ekskluzive për Info Magazine në Klan Kosova.

Ai tha më tej se nuk mund të vlerësojë se a do, apo kur do ta njohin Kosovën pesë vendet e Unionit.

“Kurse vetë BE-ja nuk ka autoritet në këtë fushë, pra në fuqitë e këtyre vendeve sovrane. Por Kosova duhet që me politikën e saj të plotë dhe me stabilizimin e ngjarjeve të brendshme ta forcojë pozicionin e saj krahas të gjithëve. E sidomos ndaj atyre që akoma janë skeptikë ndaj Kosovës”, u shpreh Picula, raporton Klankosova.tv.

Ai më tej tha se integrimi në BE i të dyja vendeve është i lidhur ngushtë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Sipas tij, ky proces do të duhej të përfundonte me një ujdi ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse për normalizimin raportesh mes dy shteteve.

Ndonëse dialogu u ripërtëri më 2023, ai tha se “në vend që kapet momentumi, erdhi te një seri e vërtetë të krizave, që më seriozja ishte sulmi i forcave paramilitare serbe në veri të Kosovës”.

“Pra kur flasim për perspektivën e këtij dialogu, natyrisht, pikë së pari duhet stabilitet në Kosovë dhe në Serbi. Por Serbia, për dallim nga Kosova që e ka orientimin e qartë evropianë, me patjetër duhet të konfirmohet këtë lloj orientimi pro-evropian”, tha Picula, raporton Klankosova.tv.

Deputeti i Parlamentit Evropian tha se sulmi i para dy viteve në Banjskë nga formacioni paramilitar serb, me në krye Millan Radoiçiqin, “paraqet cenimin më serioz të paqes në Kosovë”.

Ai tha se PE-ja i ka dënuar rreptë kryesit e këtij sulmi dhe i ka bërë thirrje pushtetit serb që t’i sanksionojnë sulmuesit.

“Për më tepër ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit ndaj sulmuesve në Banjskë të jetë njëri nga kriteret për vlerësimin e plotë situatës në Serbi dhe aftësisë së e Beogradit që të ec në rrugën evropiane”.

“Edhe zyra e BE-së në Kosovë, mendoj rishtazi i ka thënë autoriteteve në Beograd se pret së shpejti  arrestimin dhe procedimin e atyre që kryen sulmin në Banjskë, e të cilët ndodhen në Serbi. Për fat të keq, Beogradi edhe më tutje injoron kërkesat për trajtimin e kësaj çështjeje. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me pengim të procesit gjyqësor që pritet dhe ka shumë gjasë që kjo po ndodh me urdhrin e kreut shtetëror”, potencoi ai.

Tutje, ai foli edhe për marrëdhënien e BE-së ndaj presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, duke thënë se kjo marrëdhënie ka qenë i pajustifikuar, jo-kritike dhe Brukseli “për vite të tëra ka injoruar sinjalet e forta të forcimit të autokracisë, korrupsionit, dobësimit të institucioneve dhe refuzimit të të gjitha atyre vlerave themeltare mbi të cilat ka themelet BE-ja”.

“Më duhet të them se paraprakisht, Serbia në këtë rast Vuçiqi, kishin përkrahje të veçantë të ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, por jo vetëm të saj por edhe të disa liderëve të disa vendeve anëtare të BE-së. Sot ky raport gradualisht po ndërron, dhe këtë javë, në seancën e Parlamentit Evropian në Strasburg kemi votuar Rezolutën për polarizimin dhe represionin në rritje në Serbi. Shpresoj që Raporti për situatën në këtë vend, që e nxjerrë Komisioni Evropian, që del së shpejti, do të përsëris të paktën disa nga vlerësimet që Parlamenti i nxori në këtë Rezolutë. Krejt të tjerat do të ishin vazhdim i ngritjes së një regjimi që është në konflikt me qytetarët e vet që po kërkojnë ndryshim në rrugë”, deklaroi ai.

Picula tha më tej se Brukseli ka investuar shumë, jo vetëm kapitalin e tij politik tash e 13 vjet, në mënyrë që Dialogu të vijë deri te qëllimi i përfundimtar. “Kjo është jo vetëm normalizimi i plotë i raporteve mes dy shteteve por edhe te një gjendje ligjore ku do të jetë e qartë që BE-ja me zgjerimin e saj të radhës nuk lejon transportimin e problemeve të pazgjidhura bilaterale në mes shteteve dhe që të mos e forcojë mos funksionimin e brendshëm, nëse problemi mbetet i pazgjidhur. Sipas meje, pa njohje të ndërsjellë, perspektiva e evropiane nuk është reale për asnjë vend”.

Eurodeputeti foli edhe për marrëveshjen për mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ai tha se qëllimi i bashkëpunimit “nuk është realizimi i ndonjë Aleance Ushtarake, por pikë së pari koordinim në fushën e mbrojtjes, sigurisë, sidomos në këto kohëra kur duhet më shumë të veprohet në ndjenjën e sigurisë te qytetarët”.

“Këto tri shtete kanë ardhur te qëndrimi se mund më shumë të bëjnë në këtë lloj bashkëpunimi, e sidomos kur bëhet fjalë për ndonjë veprim të përbashkët ndaj atyre që ofrojnë një lloj modernizimi në sektorin e armatimit. Kurse në kundërshti të kësaj, vetëm disa ditë pas nënshkrimit të Deklaratës për bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Serbia dhe Hungaria kanë nënshkruar Ujdi Strategjike për bashkëpunimin në mbrojtje dhe presidenti serb, Vuçiq deklaroi se beson që kjo ujdi do të sjellë afrimin dhe realizimin e një Aleance Ushtarake Serbi-Hungari. Dhe për dallim nga tre shtetet tjera, ai foli që bëhet fjalë për një aleancë militare”, tha Tonino Picula.

Për raportet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, ai tha se vendet ende jetojnë nën pasojat e luftërave agresive që i ka udhëhequr regjimi-serbomadh i Sllobodan Millosheviqit në vitet ‘90 të shekullit të kaluar.

Picula tha se ajo politikë është mposhtur ushtarakisht dhe e dënuar politikisht e ligjërisht nga bashkësia ndërkombëtare, “por refleksionet e saj ekzistojnë edhe sot”.

Ai deklaroi se koncepti i asaj që quhet “Bota Serbe” nuk është tjetër veç tentim për rehabilitimin e këtij procesi në këto kushte të reja gjeo-politike.

“Në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të bashkëjetojnë ideja e ‘Botës Serbe’ dhe integrimeve evropiane. Njëra përjashton tjetrën, sepse pas programit revizionist është dhe ambicia e Rusisë agresive që kurrë nuk ndaloi ta imponojë ndikimin e saj në këtë Evropën Juglindore”, deklaroi ai, duke potencuar se zgjidhja është anëtarësimi i shteteve të rajonit në BE, dhe për ato që duan në NATO.