KPK ka pezulluar përkohësisht nga detyra prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Beqë Shala, një ditë pas arrestimit të tij nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka pezulluar përkohësisht nga detyra prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Beqë Shala, një ditë pas arrestimit të tij nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Ky vendim do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e procedurës penale, ka njoftuar KPK-ja të hënën, duke theksuar se masa është marrë për të “siguruar paanshmërinë, integritetin dhe efikasitetin e hetimeve, si dhe për të ruajtur besimin e publikut në sistemin prokurorial”.
Shala u ndalua për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila bashkë me Policinë kreu bastisje në zyrën dhe shtëpinë e tij më 27 tetor, duke sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë në procesin hetimor. Prokuroria ka paralajmëruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Hetimet ndaj Shalës lidhen me një rast të datës 25 gusht 2022, ku ai dyshohet të ketë pranuar 350 euro ryshfet nga një avokate për të mos kërkuar paraburgim ndaj klientit të saj.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, marrja e ryshfetit nga një person zyrtar dënohet me gjobë ose me burg nga një deri në tetë vjet, ndërsa dënimi mund të arrijë deri në 12 vjet kur veprimi është në kundërshtim me detyrën zyrtare. Përfitimet materiale që tejkalojnë 15 mijë euro mund të çojnë dënimin deri në 15 vjet burg.










