Pezullohen nga puna tre zyrtarët e arrestuar të Komunës së Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se ka marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, të cilët u arrestuan të martën.

Rama ka thënë se pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore.

“Njoftoj opinioni publik se, sot, kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre! Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që Kryeqyteti rithekson përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, institucioni i kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin.

“Kryeqyteti mbetet i përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën zyrtarin e Komunës së Prishtinë, Bashkim Sadikun, djalin e këngëtarit të muzikës folklorike, Xhavit Sadiku.

Bashkim Sadiku, anëtar i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, është arrestuar bashkë me dy të tjerë nën dyshimin për korrupsion.

Prokuroria tha se tre të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës dhe marrje të ryshfetit.

Njëri nga të dyshuarit, sipas njoftimit të Prokurorisë, është arrestuar në flagrancë duke pranuar ryshfet.

“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qëllim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, thuhet në njoftim.