Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se duke nisur nga 21 janari do të pezullojë përpunimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Masa është pjesë e politikave të reja të administratës Trump që synojnë të ndalojnë hyrjen në SHBA të personave që konsiderohen të rrezikuar të bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale amerikane.
Sipas Associated Press, pezullimi nuk do të prekë aplikantët për viza jo-imigruese, përfshirë vizat turistike, të biznesit dhe kategoritë e tjera të qëndrimit të përkohshëm.
Këto aplikime do të vijojnë të përpunohen normalisht nga ambasadat dhe konsullatat amerikane dhe përbëjnë pjesën më të madhe të kërkesave për viza drejt SHBA-ve, raporton AP-ja.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se kërkesa për viza jo-imigruese pritet të rritet ndjeshëm në vitet në vijim, veçanërisht për shkak të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026 dhe Lojërave Olimpike 2028, të cilat Shtetet e Bashkuara do t’i presin ose bashkë-organizojnë.
Vendimi prek vetëm vizat për emigrim të përhershëm, të cilat do të ndalen përkohësisht deri në përfundimin e një rishikimi të plotë të procedurave të verifikimit dhe kontrollit.
Masa mbështetet në një udhëzim të dhënë në nëntor, që forcon zbatimin e parimit të ashtuquajtur “public charge”, sipas të cilit aplikantët duhet të dëshmojnë se nuk do të varen nga përfitimet publike pas hyrjes në SHBA.
Në kuadër të këtij udhëzimi, oficerët konsullorë janë urdhëruar të kryejnë vlerësime më të thelluara, duke marrë parasysh moshën, gjendjen shëndetësore, situatën financiare, nivelin arsimor, aftësitë profesionale, njohjen e gjuhës angleze si dhe çdo përdorim të mëparshëm të ndihmës publike, pavarësisht vendit të origjinës së aplikantit.
Departamenti i Shtetit deklaron se masa synon të parandalojë hyrjen e shtetasve të huaj që mund të përfitojnë nga ndihmat sociale dhe të mbrojë interesat e taksapaguesve amerikanë.
Administrata Trump ka theksuar se pezullimi do të mbetet në fuqi derisa të përfundojë rishikimi i plotë i procedurave të përpunimit të vizave dhe të vendosen standarde më të rrepta verifikimi.










