Pezullimi i dialogut ShBA-Kosovë, Ben Meir: Kurti dështoi në provën e shtetarisë

Profesori i njohur amerikan dhe analist i çështjeve ndërkombëtare, Alon Ben-Meir, ka dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë dhe të ashpër mbi gjendjen aktuale politike në Kosovë dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur pezullimin e dialogut strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës një zgjim të ashpër për Kryeministrin Albin Kurti, shkruan Periskopi.

Në një opinion të publikuar së fundmi, Ben-Meir thekson se, ndonëse politika e jashtme e ish-presidentit Trump shpesh nuk ndjek linja tradicionale, vendimi për pezullimin e dialogut nuk ishte krejtësisht i gabuar. Sipas tij, Kryeministri Kurti ka dështuar të tregohet burrë shtetas i vërtetë, në një kohë kur vendi kishte më së shumti nevojë për vizion dhe përkushtim ndaj aleatëve strategjikë.

“Kurti dështoi në provën e shtetarisë. Kur një vend përballet me tensione të rritura politike brenda dhe jashtë, shtetaria bëhet jetike për të ardhmen dhe mirëqenien e tij. Deri më tani, Kurti ka dështuar të tregojë shtetari pikërisht kur ishte më e nevojshme,” shkruan Ben-Meir.

Duke analizuar vendimin e Uashingtonit, ai e cilëson atë si përplasjen më të fortë në marrëdhëniet ShBA-Kosovë që nga viti 2008, duke theksuar se ndërprerja e këtij bashkëpunimi strategjik zhvesh Kosovën nga një mbrojtje jetike ndërkombëtare në skenën globale.“Tani që kjo mburojë është thyer, rreziqet për Kosovën janë të mëdha,” paralajmëron ai.

Ben-Meir vë theksin edhe te marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara me BE-në dhe dështimi i Kurtit për të respektuar marrëveshjet e ndërmjetësuara nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai kritikon edhe qasjen nacionaliste të Kurtit dhe mungesën e fokusit në çështjet thelbësore si zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe tërheqja e investitorëve të huaj.

“Preokupimi i Kurtit me çështje të vogla dhe konfliktuale me serbët etnikë dhe paaftësia ose mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar e për të bërë kompromis me mbështetësit e tij kryesorë – ShBA-në dhe BE-në – kanë treguar qartë mungesën e tij të shtetarisë,” shkruan ai.

Ben-Meir gjithashtu kujton se Kurti ka ndërhyrë pa mençuri në politikën e brendshme amerikane, gjë që sipas tij e ka acaruar ish-presidentin Trump dhe ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve.

“Ai ndërhyri pa mençuri në procesin elektoral gjatë fushatës presidenciale në ShBA në vitin 2020, duke e mbështetur publikisht Bidenin, gjë që e zemëroi Trumpin,” thuhet në analizë.

Në pjesën më të thelluar të opinionit, Ben-Meir i referohet koncepteve filozofike për të përshkruar tiparet që duhet të ketë një udhëheqës i vërtetë:

“Në ‘Republika’, Platoni foli për konceptin e ‘mbretit filozof’. Ai tha se një shtetar i vërtetë është dikush që ka një lloj urtësie dhe vizioni që udhëheqësit e zakonshëm nuk e kanë.”

Duke përfunduar, Ben-Meir ofron një qasje praktike për rrugën përpara për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e komunikimit konstruktiv me ShBA-në dhe BE-në, rikthimin në dialog me Serbinë dhe formimin e një qeverie të aftë për të ndërtuar konsensus dhe stabilitet. Ai i bën thirrje Kurtit që, nëse nuk arrin të formojë një qeveri funksionale, të thërrasë zgjedhje të reja si prova përfundimtare e legjitimitetit të tij politik.“Kosovës nuk i duhet një nacionalist ideologjik, por një udhëheqës vizionar dhe i guximshëm, një burrë shteti që mund t’i përgjigjet kërkesës së publikut për siguri, stabilitet politik dhe zhvillim,”përfundon Ben-Meir./PERISKOPI/