Pettifer: Kosova ta informojë botën më shumë për historinë e saj të lashtë

Profesori i historisë në Universitetin e Oxfordit dhe eksperti britanik për Ballkanin, James Pettifer, tha Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë.

Ai këtë reagim e ka bërë duke shpërndarë shkrimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, rreth qytetit antik romak të Ulpianës, rrënojat e të cilit ndodhen pranë Prishtinës, e që vazhdon të sjellë zbulime të jashtëzakonshme falë punës së një ekipi arkeologësh nga Kosova dhe Franca.

“Lajm i mirë vërtet. Por Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë. Shumë pak libra apo edhe broshura të vlefshme janë të disponueshme në shumë vende të rëndësishme për momentin”, ka shkruar eksperti britanik.

Ndryshe kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka shkruar se një mbishkrim i dytë i dedikuar perandorit Justinian dhe perandoreshës Theodora është identifikuar tani, duke iu referuar ndërtimit të bazilikës episkopale.

“Krahas mbishkrimit të mëparshëm për Iustiniana Secunda, i cili u zbulua para dy vitesh po ashtu në Ulpianë, këto janë të vetmet dedikime të njohura nga Justiniani në rajonin e tij të origjinës – duke riafirmuar lidhjen e tij me Dardaninë dhe identitetin tonë dardan në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën e Hershme”, shkroi Kurti në ‘X’.

The post Pettifer: Kosova ta informojë botën më shumë për historinë e saj të lashtë appeared first on Kosovapost.net.